Milani ka ambicie të kthehet në ditët e tij më të mira, pra si fitues i kampionatit në Serie A dhe rivaliteti me dinjitet dhe për trofe në UEFA Champions League. Gjërat nuk duken të lehta, por me ardhjen e Igli Tares në krye të klubit si drejtor sportiv, kanë nisur edhe lëvizjet e bujshme në treg, ku mes emrave të afruar është dhe mesfushori i njohur kroat Luka Modriç. Të tjerë emra pritet të vijnë në ditët e javët në vazhdim, pasi edhe mediat italiane thonë se Milani tani ka ambicie për më shumë, si një skuadër që dëshiron të kthehet në majën e Europës. Ndërkohë, Luka Modriç ka nisur tashmë të përdorë ndikimin e tij te AC Milan, pasi ka kompletuar kalimin me parametër zero nga Real Madrid.
Pas vendimit të klubit madrilen për të mos i ofruar një zgjatje kontrate me 12 muaj të tjerë, Modriç i dha fund një aventure të jashtëzakonshme 13-vjeçare në Madrid, menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube. Mesfushori kroat, i vendosur të realizojë ëndrrën e tij për të luajtur në Kupën e Botës verën e ardhshme, nënshkroi një kontratë njëvjeçare me Milanin, me opsion për ta zgjatur deri në sezonin 2026/27. Ndërsa Modriç përshtatet me jetën në Milano, ai mund të bashkohet shpejt me një fytyrë të njohur. Sipas “Diario AS”, lojtari i ka dhënë “dritën jeshile” transferimit të Fran Garcia nga Real Madrid. Real Madrid ka vendosur një çmim prej 20 milionë eurosh për mbrojtësin e majtë, i cili është bërë objektiv për Milanin që po kërkon zëvendësues për Theo Hernandez, i transferuar te Al Hilal. Megjithatë, kjo shifër mund të rritet deri në 25–30 milionë euro, ndonëse një vit më parë lojtari vlerësohej vetëm 15 milionë euro.