Partizani eliminohet nga Conference League, kurse Vllaznia bëri surprizën e madhe duke e kaluar këtë raund. Të kuqtë edhe pse kishin barazuar ndeshjen e parë me Nome Kalju humbën pas 120 minutash në Tiranë 1-0 dhe u eliminuan.
Ndeshjet
Mbrëmë u luajtën ndeshjet e kthimit të turit të parë të fazës paraeliminatore në Ligën e Europës dhe në Ligën e Konferencës të UEFA-s, ku u paraqitën edhe disa skuadra shqiptare nga Shqipëria dhe rajoni. Nga Superiorja jonë, në këtë aktivitet morën pjesë Partizani dhe Vllaznia. Shkodranët ia dolën të kualifikohen, pasi bënë një nga surprizat më të mëdha të mbrëmjes, duke fituar 4-2 në transfertë dhe pavarësisht se kishin humbur ndeshjen e parë 0-1 në “Elbasan Arena” përballë letonezëve, ia dolën të përmbysin gjithçka dhe të shkojnë më tej. Natyrisht, vëmendja kyesore mbrëmë ishte tek Partizani, i cili kishte barazuar në duelin e parë me Nome Kalju të Estonisë në transfertë 1-1, por mbrëmë në Tiranë koha e rregullt u mbyll 0-0. Por Partizani në kohën shtesë pësoi gol në minutat e fundit të fraksionit të parë, gol i shënuar nga Ivanov, dhe skuadra estoneze me këtë gol arriti të fitojë në shtesë 1-0 dhe të sigurojë kalimin në raundin e dytë. Aventura e Partizanit mbyllet kështu pa kaluar asnjë raund.
Vllaznia shkon në raundin e dytë të Conference League
Vllaznia u kualifikua në raundin e dytë të UEFA Conference League, pasi triumfoi ndaj BFC Daugavpils në transfertën letoneze me rezultatin 2-4. Kuqeblutë zhvilluan një ndeshje spektakolare dhe fituan me golat e Mensah, Yago, Dodaj dhe Mala. Vllaznia e nisi takimin me këtë formacion titullar: Qarri, Bajrami, Kuros, Gurishta, Jago, Krymi, Qato, Kruja, Dodaj, Mensah, Balaj. Mensah zhbllokoi rezultatin për shkodranët në minutën e 22-të, por vendasit reaguan dhe përmbysën gjithçka për dy minuta me golat e Ulliams dhe Diallo. Në fundin e pjesës së parë, Vllaznia barazoi me Jagon, i cili realizoi një gol shumë të bukur me një goditje spektakolare nga jashtë zonës. Në pjesën e dytë, kuqeblutë ishin të pandalshëm dhe në minutën e 74-ët përmbysën gjithçka me golin e Kevin Dodajt. Fatin e ndeshjes dhe të kualifikimit e vulosi Esat Mala në minutën e 87-të, duke i dhënë Vllaznisë biletën për raundin e dytë. Në turin e dytë të UEFA Conference League, Vllaznia do të përballet me fituesin e çiftit FC Malisheva (KOS) – Víkingur Reykjavík (ISL), pra do të luajë me skuadrën islandeze.
Ndeshjet e tjera
Në ndeshjet e tjera të Ligës së Konferencës të luajtura mbrëmë, u kualifikua edhe skuadra shqiptare e Malit të Zi, Deçiç I Tuzit, I cili humbi mbrëmë ndaj Sileksit të Maqdonisë së Veriut 2-1, por kishte fituar ndeshjen e parë 2-0. Shqiptarët e Malit të Zi do të përballen në raundin e dytë me Rapidin e Vjenës. Në kuadër të Ligës së Europës, mbrëmë Prishtina e Kosovës fitoi ndaj Sherif Tiraspolit të Moldavisë 2-1, por nuk mundi të shkojë në raundin tjetër, pasi kishte humbur rëndë në duelin e parë midis tyre më Moldavi, me rezultatin 4-0. Një tjetër skuadër shqiptare pësoi mbrëmë disfatë dhe u eliminua. Bëhet fjalë për Malishevën, e cila u mund thellë nga Vikinguri i Reikjavikut dhe u eliminua nga aktiviteti.