Sulmuesi Kilian Mbape dhe portieri Andrij Lunin i ndërprenë përkohësisht pushimet për të udhëtuar drejt Madridit për të marrë pjesë në ceremoninë e përshëndetjes së Lukas Vazkezit. Një javë pasi nisën periudhën e pushimit, pas eliminimit në Kupën e Botës për Klube, ylli francez dhe portieri ukrainas u paraqitën për të qenë afër njërit prej kapitenëve të Real Madridit.
Ish-lojtari i Madridit, Marcelo, që luajti gjashtë edicione me Lucas Vazkezin, po ashtu ishte në ceremoninë përshëndetëse, shkruan “Marca”. Vazkez është 34-vjeçar, ndërsa luan kryesisht në krahun e djathtë. Ai ishte te Real Madridi që nga viti 2007. Ka kaluar grupmoshat e reja, në Real Madridin C, B dhe prej vitit 2015 ishte në ekipin e parë. Ka pasur vetëm një periudhë huazimi tek Espanjoli. Vazkez me Spanjën i ka luajtur vetëm tetë ndeshje, por ka dhënë kontribut të madh për klubin mbretëror nga Madridi. “Ju po largoheni me admirimin, dashurinë dhe respektin e të gjithë madrilenëve.
Është nder për ne që kemi pasur një lojtar si ju në klubin tonë”, i ka thënë Vazkezit, Florentino Perez, president i Real Madridit. Lukas Vazkez ishte vetëm 16-vjeçar kur iu bashkua Madridit. Dhe po largohet pas plot 402 ndeshjeve me ekipin e parë. Perezi ia dorëzoi atij emblemën e klubi prej arit dhe diamantit. Për ta nderuar Vazkezin të pranishëm ishin edhe presidenti i nderit i Real Madridit, Jose Martinez Pirri, drejtori i futbollit, Santiago Solari, dhe disa anëtarë të bordit të drejtorëve. Prej lojtarëve ishin Marcelo, Mbape e Lunin. “Ju ishit një shembull i punës së madhe, sakrificës, përkushtimit, punës ekipore, përulësisë dhe respektit. Një lojtar jovetjak që gjithnjë e ka vënë ekipin para interesit personal.
Ti përfaqëson mbrojtjen e stemës më shumë se çdokush tjetër. Sot po përfundon periudha që të bëri legjendë të vërtetë të klubit”, ka theksuar Perez. Në ceremoni foli edhe Lukas Vazkezi. Ai theksoi se ka realizuar ëndrrat në klubin më të madh në botë. “Është njëra prej ditëve më të rëndësishme në jetën time. Dua t’i falënderoj tifozët për dashurinë e madhe të tyre. Kam pasur privilegjin që të fitoj trofe, të ndajë dhomën e zhveshjes me legjenda dhe të përjetojë net të paharrueshme. Jam ndier i lumtur, i vlerësuar, i respektuar dhe i dashur. Dua të falënderoj presidentin Perez nga thellësia e zemrës që më dha rastin të realizoj ëndrrën. Besimi i tij më mundësoi të bëhem lojtari dhe personi që jam sot”, tha Lukas Vazkez.



































