“Melania më ndihmoi të shoh dyfytyrësinë e Putinit”, Trump kërcënoi me sanksione të rënda Rusinë

0
17

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëri të ditur se ishte arritur një marrëveshje e rëndësishme me aleatët e NATO-s për dërgimin e një sasie të madhe armësh në Ukrainë, përfshirë sistemet raketore Patriot, dhe ka paralajmëruar Rusinë se do të përballet me sanksione të rënda tregtare nëse nuk ndalet lufta brenda 50 ditëve.

Pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se është rënë dakord për një “marrëveshje shumë të madhe”, përmes së cilës miliarda dollarë pajisje ushtarake do të blihen nga SHBA dhe do të shpërndahen shpejt në fushëbetejë.

“Është gjithçka – përfshirë sistemet Patriot, me të gjitha komponentët,” tha Trump, duke shtuar se pagesa për armët do të mbulohet tërësisht nga aleatët evropianë, ndërsa dërgesat e para do të vijnë nga rezervat aktuale evropiane.
Rutte konfirmoi se vende si Gjermania, Finlanda, Suedia, Norvegjia, Danimarka, Holanda dhe Kanadaja janë pjesë e valës së parë të mbështetjes dhe se do të ketë edhe më shumë në vijim.

Trump po ashtu zbuloi se një vend – pa e emërtuar – ka 17 sisteme Patriot gati për dërgim, që përfshihen në marrëveshjen e fundit.
Kjo ndihmë përbën një përforcim të ndjeshëm për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, e cila aktualisht ka vetëm gjashtë bateri Patriot, ndërkohë që përballet çdo ditë me sulme ajrore nga Rusia.
Në deklaratat e tij, Trump shfaqi frustrim në rritje me Vladimir Putinin, duke e akuzuar për mashtrim në bisedimet për paqe dhe për intensifikimin e sulmeve ndaj qyteteve ukrainase. Ai paralajmëroi se do të vendosë tarifa 100% ndaj mallrave ruse, si dhe sanksione të “sekondare”, që do të prekin vendet që vazhdojnë të blejnë naftë dhe produkte të tjera nga Rusia.
“Tarifat sekondare janë shumë, shumë të fuqishme”, tha presidenti amerikan.
Trump, i shoqëruar nga Rutte dhe nënpresidenti amerikan JD Vance – një ndër skeptikët më të mëdhenj për përfshirjen e SHBA në Evropë – shprehu për herë të parë admirim të hapur për kurajon e ukrainasve dhe për angazhimin e Evropës në mbështetje të tyre.
“Kanë luftuar me një guxim të jashtëzakonshëm,” tha Trump. “Evropa ka një shpirt të fortë për këtë luftë. Niveli i unitetit është befasues.”
Ai zbuloi gjithashtu se bashkëshortja e tij, Melania, e kishte ndihmuar të kuptonte dyfytyrësinë e Putinit në komunikimet e tyre: “Kam një bisedë të këndshme me të, dhe më vonë atë natë shpërthejnë raketat”, tha Trump me ironi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here