Drejtori i Drejtorisë Vendore Shkodër, Fatmir Lleshaj, dhe shefi i Komisariatit Nik Nikolla janë shkarkuar nga detyra. Nga detyra është pezulluar shefi i stacionit të policisë në Theth, ndaj të cilit ka nisur edhe një hetim disiplinor. Shkak i këtij vendimi janë bërë ndërtimet pa leje në Theth dhe zaptimi i hapësirave publike.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në një deklaratë për mediat, teksa njoftoi shkarkimet, paralajmëroi edhe drejtuesit e qarqeve të tjera që do të mbajnë përgjegjësi nëse konstatohen shkelje.
“Nisur nga situata e fundit e krijuar me ndërtimet në qendër të Theth, kam urdhërua për të kryer një hetim të thelluar, dhe ju informoj se shefi i stacionit të Policisë Theth është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tij ka nisur procedurat disiplinore.
Besoj se si funksion me mosveprimin e tij të pa justifikueshëm, e ka zgjedhur rrugën e tij për të mos qenë pjesë e Policisë së Shtetit dhe nuk gjej më asnjë arsye që ai të veshë më uniformën e policisë.
Ecuria disiplinore ka filluar edhe ndaj inspektor të zonës dhe ndaj specialistëve të krimit, të cilët po njësoj nuk e meritojnë të jenë pjesë e Policisë së Shtetit.
Përgjegjësia për ndërtimet pa leje nuk mund të mbetet përgjegjësi e vetme e një inspektori zone dhe specialisti krimi, ndaj kam vendosur të shkarkoj nga detyra, drejtorin e Drejtorisë Vendore Shkodër, si dhe shefin e Komisariatit të Policisë Shkodrës”, tha Proda.