Gjatë samitit të zhvilluar në Hagë, krerët e disa shteteve aleate të SHBA-së i dërguan një mesazh të drejtpërdrejtë Donald Trump-it: “Nuk jemi armiku”. Mes çështjeve të diskutuara, tarifat doganore ishin tema më e ndjeshme, ku u pozicionuan qartë Giorgia Meloni, Emmanuel Macron dhe Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti francez Macron u shpreh pa ekuivok, duke theksuar se një “luftë tregtare mes aleatëve” bie ndesh me përpjekjet e përbashkëta ushtarake, të cilat – siç theksoi ai – janë kërkuar nga vetë Trump. Ai i bëri thirrje rikthimit te një “paqe tregtare” dhe heqjes së barrierave që dëmtojnë partneritetin transatlantik.
Në të njëjtën linjë, por me tone më diplomatike, edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni theksoi se tarifat doganore dëmtojnë interesat perëndimore dhe i shërbejnë kundërshtarëve. Ajo i kujtoi Trump-it se tarifat dhe shpenzimet ushtarake janë “dy anët e së njëjtës medalje”, ndaj kërkoi shmangien e çdo “lufte tregtare” mes aleatëve.
Presidenti turk Erdogan, nga ana e tij, shtoi se vendime të tilla mund të çojnë në gabime fatale dhe kërkoi rishikimin e qasjes tregtare.
Trump dëgjoi pa ndërprerje, megjithëse herë pas here shfaqte pakënaqësi. Sidoqoftë, pjesëmarrja e tij për më shumë se tre orë në sesionin e punimeve u konsiderua nga liderët europianë si një sinjal i rëndësishëm.
Në sfond, çështja e tarifave doganore pritet të dominojë axhendën e Këshillit Europian, me Macron që po synon të udhëheqë përpjekjet për të shmangur përplasjen me SHBA-në përpara datës 9 korrik, kur skadon pezullimi i masave tarifore. Edhe Ursula von der Leyen është përballë kritikave për mënyrën e menaxhimit të situatës, veçanërisht nga kancelari gjerman Friedrich Merz.
Meloni, që kërkon të ruajë raportet me Uashingtonin, mbetet më e kujdesshme në publik, megjithatë afërsia me Macron po rritet. Kryeministrja italiane e ka ftuar atë në Romë për konferencën për rindërtimin e Ukrainës në korrik – një ftesë që Macron, për habi të disa analistëve, mund ta pranojë.