Pas pothuajse dy javësh i fshehur në një bunker sekret diku në Iran, gjatë luftës së vendit me Izraelin, udhëheqësi suprem, Ayatollah Ali Khamenei, 86 vjeç, mund të përdorë armëpushimin si mundësi për t’u shfaqur sërish në publik.
Ai besohet të jetë izoluar totalisht nga frika e një atentati nga Izraeli. Madje edhe zyrtarët më të lartë të qeverisë duket se nuk kanë pasur kontakt me të. Edhe pse armëpushimi u arrit me ndërmjetësimin e Presidentit amerikan Donald Trump dhe Emirit të Katarit, situata mbetet e tensionuar. Trump thuhet se i kërkoi Izraelit të mos e vriste liderin suprem iranian, por kryeministri Benjamin Netanyahu nuk e përjashtoi mundësinë.
Nëse – apo kur – Khamenei tw dalw nga fshehja, do të përballet me një vend të rrënuar nga lufta. Ai pritet të shfaqet në televizionin shtetëror për të shpallur “fitoren”, por realiteti i ri në terren e sfidon imazhin e tij të mëparshëm.
Gjatë luftës, Izraeli mori shpejt kontrollin e hapësirës ajrore iraniane dhe goditi strukturat kryesore ushtarake. Komandantë të lartë të Gardës Revolucionare dhe ushtrisë u vranë, dhe bazat u shkatërruan nga bombardimet e përsëritura. Megjithëse niveli i dëmit është ende subjekt debati, ekspertët bien dakord se fuqia ushtarake iraniane është dobësuar ndjeshëm.
Objektet bërthamore të Iranit – të cilat ishin shkak për dekada sanksionesh ndërkombëtare – janë dëmtuar rëndë. Shumë iranianë pyesin veten: për çfarë ishte gjithë kjo sakrificë? Khamenei shihet si përgjegjësi kryesor për futjen e Iranit në një përplasje fatale me SHBA-në dhe Izraelin.
Profesoresha Lina Khatib nga Universiteti i Harvardit deklaron:
“Është e vështirë të thuhet sa kohë mund të mbijetojë ky regjim nën kaq shumë presion, por kjo duket si fillimi i fundit. Khamenei mund të jetë udhëheqësi i fundit suprem i Republikës Islamike në kuptimin e plotë të fjalës.”
Ka pasur zëra të pakënaqësisë edhe brenda elitës. Një agjenci gjysmë zyrtare raportoi se figura të vjetra të regjimit kanë kërkuar nga klerikët e fuqishëm në Qom të ndërhyjnë për të sjellë një ndryshim në udhëheqje.
Në popull, ndjenjat janë të përziera: shumë u bashkuan për të ndihmuar njëri-tjetrin, por jo për të mbrojtur regjimin. Shumë shpresojnë për një ndryshim të regjimit – por jo përmes ndërhyrjes së jashtme. Nëse regjimi rrëzohet, ka frikë se do të pasojë kaosi dhe jo një tranzicion i qetë.
Ndërkohë, regjimi ka nisur një valë represioni: të paktën gjashtë persona janë ekzekutuar për spiunazh në favor të Izraelit dhe rreth 700 janë arrestuar. Një qytetare iraniane i tha BBC Persian se ajo i frikësohet më shumë reagimit të një regjimi të lënduar ndaj popullit të vet sesa vetë luftës.
Rreziku bërthamor dhe e ardhmja e regjimit
Pavarësisht dëmtimeve në objektet bërthamore, Irani pretendon se ka lëvizur stoqet e uraniumit të pasuruar në vende të sigurta. Ky uranium, nëse pasurohet më tej, mund të mjaftojë për ndërtimin e nëntë bombave bërthamore, sipas ekspertëve.
Parlamenti iranian ka votuar për të reduktuar ndjeshëm bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), çka mund të çojë drejt një dalje nga Traktati i Mospërhapjes Bërthamore (NPT).
Khamenei, i moshuar dhe i sëmurë, mund të përpiqet të sigurojë vazhdimësinë e regjimit përmes një kalimi të kontrolluar të pushtetit – qoftë te një klerik tjetër, apo një këshill udhëheqës. Por shumë mendojnë se komandantët e mbetur të Gardës Revolucionare mund të kërkojnë të mbajnë pushtetin nga prapaskena.