Ish-futbollisti i njohur i përfaqësueses tonë, Klodian Duro, nisi dje punë si trajner në Ligën e Parë të Kosovës. Duro të hënën mori drejtimin e Lirisë së Prizreni. Në njoftimin zyrtar, Liria ka shkruar se Duro vjen me synim për ta kthyer klubin me nam prizrenas në Superligën e Kosovës. 47-vjeçari ka luajtur si mesfushor ofensiv në Turqi, Gjermani, Qipro, Austri e Shqipëri.
Për kuqezinjtë i ka luajtur plot 77 ndeshje, ndërsa i realizoi gjashtë gola. Dukshëm më pak suksese ka pasur në karrierën e deritashme si trajner. Ka drejtuar Kukësin, Kamzën, Luftëtarin dhe Lushnjën në Shqipëri, ndërsa në Kosovë drejtoi Feronikelin dhe Gjilanin. Mbetet të shihet se a do të jetë Duro ai që do ta rikthejë Lirinë përsëri në Superligë. Liria, ishte në garë për t’u rikthyer në Superligë por që u eliminua në gjysmëfinalen e barazhit nga Vushtrria.
Zeka kalon në kampionatin turmun
Ndërkohë që Klodian Duro e bëri zgjedhjen e tij, një lojtar kosovar u largua nga liga vendore dhe kaloi në Rumani. Kështu, Mevlan Zeka ka kohë që është prej futbollistëve më të mirë në Kosovë. Në edicionin e fundit ishte golashënuesi më i mirë, ndonëse skuadra e tij, Suhareka, nuk ia doli të siguronte ekzistencën. Por, në Superligë nuk do të jetë as 31-vjeçari nga Gjakova. Ai të dielën e kompletoi transferimin në Rumani.
Zeka ka firmosur me skuadrën tradicionale UTA Arad. Firmosi për dy vjet. Zeka e zgjodhi UTA Aradin në mesin e shumë ofertave që i kishte. “Kam pasur ofertë në Kazakistan dhe përveç Dritës, nga 90 për qind e ligës në Kosovë kam pasur oferta. Po ashtu në Shqipëri. Por, gjatë rrugës ka ardhur edhe oferta nga UTA Aradi. Pastaj, kur i kam analizuar gjitha gjërat, vendosa ta lija Kosovën dhe ta sfidoja veten në kampionatin rumun. Ka qenë një arsye më tepër sepse bashkëlojtarët dhe me ata që kam luajtur në Kosovë, Korenica, Rrahmani, Krasniqi, Hazrollaj, Emërllahu, kanë bërë bujë dhe janë përshtatur shumë mirë me kampionatin rumun.
Besoj se edhe unë rrugën e tyre do ta ndjek. Ta shohim si do të shkojë”, ka thënë Zeka. Ai ka luajtur në Kosovë për Vëllaznimin, Feronikelin, Lirinë, Ballkanin, Gjilanin dhe Suharekën. Ka arritur shumë suksese si me skuadra ashtu edhe në aspektin individual. Dhe tani do të testohet jashtë kufijve të Kosovës. Ka zgjedhur Rumaninë. “E kam përcjellë ligën vazhdimisht. Kam biseduar edhe me Korenicën, Rrahmanin e Krasniqin. Më kanë thënë se nuk e ke problem të luash, sepse kemi qenë bashkëlojtarë dhe e dinë potencialin”, thotë sulmuesi. Ai është bashkuar me skuadrën e re në Slloveni në përgatitje.
Do të qëndrojë dhjetë ditë në Slloveni e më pas do të vendoset në Rumani. Kampionati rumun fillon më 12 korrik. I duhet edhe rregullimi i dokumentacionit, që mund të marrë kohë, por Zeka shpreson që të jetë gati për xhiron e parë. “Sot ishte dita ime e parë me ekipin. Kam qenë në pushim, tri javë ditë nuk kam stërvitur fare, pasi kam zhvilluar 35 lojë në Kosovë, 90 minuta, pa ndërprerë. Kam pushuar dhe u bëra realist. I tregova edhe trajnerit që në ditët e para më duhet kohë derisa ta kap ritmin. Ta shohim. Ndoshta do të bëhem gati edhe për ndeshjet miqësore”, ka thënë Zeka.