Rezidencat qeveritare në Vlorë dhe Velipojë kthehen në hotele “qira” mujore

0
5

Dy javë nga shpallja e fituesve për rezidencat qeveritare në Vlorë dhe Velipojë që do të kthehen në hotele markë ndërkombëtare ka përfunduar edhe afati për ankesat potenciale nga palë të përfshira në proces.

Korporata e Investimeve Shqiptare kishte lënë 18 qershorin si datën e fundit për këtë procedurë për të vijuar kështu me procesin. Në faqen e këtij institucioni tashmë janë publikuar edhe informacionet e sakta lidhur me ofertat që bëri secila palë sa i takon kontratës enfiteozë.

Ky model parashikon që çmimi i enfiteozës do të jetë një pagesë mujore dhe aplikohet pas certifikimit të vlerës së investimit të përmirësimit të pronës nga partneri privat. “Afati i enfiteozës është 10 vjet, me të drejtë rinovimi deri në kthimin e vlerës së investim- it. Pas përfundimit të kontratës së enfiteozës, palët kanë të drejtë të lidhin një marrëveshje partneriteti për menaxhimin e strukturës akomoduese” do të specifikonte Korporata.

Rezidenca në Velipojë 1.5 milionë lekë në muaj sipas kontratës

Kështu lidhur me projektin “Për rikonceptimin e rezidencave qeveritare në struktura akomodimi elitar, Vila Velipojë” ku fitues u shpall bashkimi i Xhenis sh.LLC, Saunders Architecture, Smart Studio, VOGT, Adnan Kastrati, Melia Holtel International” qiraja mujore që do të paguhet është 1.5 milionë lekë në muaj.

Kriteri bazë që ishte për këtë pronë në fazën e garës ishte 288 mijë lekë në muaj ndërkohë që disa nga kushtet e tjera të kontratës enfiteozë ishte edhe ajo për dhënien e tarifave preferenciale për klientë të përcaktuar në marrëveshje me partnerin publik në këtë rast Korporata. Referuar projektit fitues për rezidencën në Velipojë kompania do të sqaronte se ideja ishte mbajtja e vilës siç është për të treguar të kaluarën.

“E gjithë ndërtesa nuk duhet të jetë si kala, por njerëzit të kenë dëshirë të hyjnë ta shohin. Doja që kjo ndërtesë të jetë identitet më vete. Kjo jep përvojë. Ne vendosëm që të ndërtonim parkimin poshtë që te mos duket dhe ekipi ynë s’ka nevojë për shumë infrastrukturë.

Mendojmë të kemi 30 dhoma dhe të kemi infrastrukturë në hotelin tjetër. Kati i parë mund të jetë një pjesë publike që të jetë një ndërtesë për të gjithë njerëzit, madje edhe hotelet e tjera ta përdorin. Të ketë dhe një SPA cilësor, pastaj janë dhomat që janë sipër dhe salla e konferencave” do të shpreheshin përfaqësuesit e studios arkitekturore gjatë konkursit.

Rezidenca në Vlorë 850 mijë lekë në muaj

Kjo rezidencë kishte si kusht ofertën financiare 813 mijë lekë në muaj por që nga konkursi rezultoi një vlerë 850 mijë lekë në muaj . Edhe për këtë rast vlen ndër të tjera kriteri i tarifave preferenciale sipas marrëveshjes me Korporatën. Fituesi i kësaj gare ishte bashkimi i Edil Al, Zdrava, studio Arga, Studio Precht, Studio V10, Jeshile, Ledia Kostandini, Lindita Pelivani, Altisfer Golloshi, Holtzbau Majer, Melia Hotels & Resorts. Projekti në fjalë synon një godinë teë lartë në një gjumë të vogël ndërtimi që sheh nga perëndimi dhe të jetë një lloj siluete që vë në kuadër pamjen.

“Do të ketë një pishinë që bashkon ndërtesat. Përbërësi i dytë të jetë ekskluzive, pra të tërheqë udhëtarët që folëm e për të tërhequr një audiencë të re të turizmit e jo domosdoshmërisht dikë qe është i interesuar për luksin e mermerit e ferrarit por për luksin e përvojës pra përvojë ekskluzive.

Kemi propozuar disa shtëpi në pemë që e rrethojnë janë të trupëzuara në pemë. Në fazën tjetër mund të ketë edhe ndërtesa rezidenciale duke qenë se hapësira është e madhe dhe kthimi i investimit vetëm me projektin fillestar është goxha i ngadaltë” do të sqaronte gjatë konkursit përfaqësuesi I studios arkitekturore./ Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here