Në sfondin e tensioneve të shtuara në Lindjen e Mesme, marina iraniane po shfaqet gjithnjë e më shumë si një komponent thelbësor i strategjisë ushtarake dhe gjeopolitike të Republikës Islamike. Ajo ka zgjeruar ndjeshëm kapacitetet e saj me nëndetëse dhe anije luftarake moderne, të vendosura në pika strategjike të Gjirit Persik dhe Oqeanit Indian.
Ndërsa vëmendja ndërkombëtare është përqendruar tek reagimi i Iranit ndaj sulmeve të fundit ajrore amerikane, një pikë kyçe mbetet ndikimi i mundshëm i flotës iraniane në ujërat strategjikë të Gjirit. Pavarësisht nga konfrontimi i vazhdueshëm me Izraelin, marina nuk ka luajtur deri më tani një rol të drejtpërdrejtë në konflikt, çka nxit pyetjen: a po përgatit Irani një përgjigje detare dhe çfarë aftësish ka realisht?
Që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, Irani ka ndërtuar një strukturë të dyfishtë detare: Marina e Rregullt (IRIN) dhe Marina e Gardës Revolucionare (IRGCN), me funksione të ndara por komplementare. Kjo strukturë përfshin shkatërrues, fregata, korveta, si dhe një flotë të konsiderueshme nëndetësesh – të gjitha të dizajnuara për të operuar në mënyrë efektive në konflikt të asimetrik dhe për të kundërshtuar flotat më të avancuara teknologjikisht.
Me mbi 18,500 personel dhe më shumë se 100 anije, Marina e Rregullt e Iranit operon në Gjirin Persik dhe Detin Kaspik, dhe është përgjegjëse për ruajtjen e ujërave territoriale dhe mbrojtjen e korridoreve detare. Sipas Global Firepoëer 2024, ajo renditet e 37-ta në botë, një tregues i kapaciteteve të saj në rritje, përkundër sanksioneve ndërkombëtare.
Shkatërruesit modernë si Zulfiqar, Sahand dhe Zagros janë projektuar për operacione me raketa precize dhe misione inteligjence. Ndërkohë, fregatat e klasit Moj dhe Alphand dhe nëndetëset e tipit Tariq, Fateh dhe Ghadir ofrojnë një përzierje aftësish të avancuara dhe fleksibilitet në det.
Nëndetëset, arma e heshtur iraniane
Me midis 19 dhe 27 njësi, nëndetëset iraniane përfaqësojnë një komponent thelbësor të strategjisë mbrojtëse dhe ofensive të vendit. Veçanërisht, nëndetëset Tariq (të klasit rus Kilo) kanë kapacitet për raketa lundruese dhe mina strategjike. Fateh përfaqëson përparimin teknologjik vendas, ndërsa mini-nëndetëset Ghadir janë të përshtatshme për operacione të shpejta dhe të fshehta në ujëra të cekëta.
Bazat detare iraniane janë shpërndarë në zona kyçe, nga Bandar Abbas dhe Jask në jug, deri te Bandar-e Anzali dhe Chabahar në veri dhe lindje. Këto baza ofrojnë prodhim, mirëmbajtje dhe mbështetje logjistike për flotën. Baza në ishullin Abu Musa, pranë Ngushticës së Hormuzit, mbetet ndër më të ndjeshmet dhe të fortifikuarat përballë tensioneve me Emiratet e Bashkuara dhe SHBA-në.
Marina e IRGC dhe një luftë asimetrike
Ndryshe nga flota konvencionale, IRGCN përdor anije të vogla dhe të shpejta për sulme të befasishme, minim të rrezikshëm dhe operacione speciale. Kjo përfshin mbi 45 njësi të tilla si Houdong, Peykaap II dhe MK13, të dizajnuara për të manovruar shpejt në korridore të ngushta si Ngushtica e Hormuzit.
Në vitet e fundit, marina iraniane ka bërë përparime të ndjeshme në teknologji raketore dhe dronësh. Në vitin 2024, Irani prezantoi raketa lundruese që shmangin zbulimin radarik dhe kreu teste të suksesshme të lëshimit të tyre nga nëndetëset. Ndërkohë, një mision i gjatë prej 63,000 kilometrash në vitin 2023, përfshirë kalimin në Ngushticën e Magelanit – sinjalizoi aspiratat e Iranit për të shtrirë ndikimin e tij përtej rajonit.
Edhe pse nuk mund të krahasohet me flotat e superfuqive botërore, marina iraniane paraqet një rrezik serioz në zonën e Gjirit. Me një strategji të bazuar në luftë asimetrike, zhvillim teknologjik vendas dhe vendosje të zgjuar strategjike, ajo është kthyer në një instrument të rëndësishëm të fuqisë rajonale të Teheranit dhe një element të paqëndrueshmërisë në një nga arteriet më kritike të energjisë në botë, siç është ngushtica e Hormuzit.