Irani ka konfirmuar zyrtarisht se sulmi raketor i ndërmarrë së fundmi kishte në shënjestër vetëm objektivat ushtarake amerikane të vendosura në Katar, duke theksuar se nuk ka synuar aspak të dëmtojë shtetin mik apo popullin e tij.
Në një deklaratë nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të Iranit, e cituar nga mediat shtetërore iraniane, theksohet se “baza ajrore amerikane është shkatërruar” dhe se numri i raketave të përdorura ishte i barabartë me ato të bombave që SHBA hodhi mbi tri objekte bërthamore iraniane më herët.
“Irani mbetet i përkushtuar ndaj marrëdhënieve të ngrohta dhe historike me Katarin”, thuhet në deklaratë, duke tentuar të qetësojë shqetësimet për përshkallëzim rajonal.
Ndërkohë, autoritetet në Doha kanë konfirmuar se sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit kanë kapur dhe neutralizuar të gjitha raketat iraniane që u lëshuan në drejtim të bazës ajrore Al-Udeid – një nga më të mëdhatë në Lindjen e Mesme ku ndodhen mbi 10 mijë trupa amerikane.
Pavarësisht mungesës së viktimave, situata mbetet shumë e tensionuar. Komuniteti ndërkombëtar vijon thirrjet për vetëpërmbajtje dhe dialog diplomatik mes Uashingtonit, Teheranit dhe aleatëve rajonalë, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës.