Junajtid zyrtarizon Kunjan që e bleu nga Uolverhempton, Reali prezanton Arnoldin

0
12

Adriatik BALLA

Mançester Junajtid ka përfunduar transferimin e Matheus Kunja nga Uolverhempton Uanderers, njoftoi klubi të enjten. Sulmuesi brazilian ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me klubin nga “Old Trafford”. Junajtid ka aktivizuar klauzolën e lirimit të Kunjas, e cila kap vlerën e rreth 62.5 milionë paundësh, sipas një burimi brenda klubit. Klubi gjithashtu ka opsionin për të zgjatur kontratën edhe për një vit tjetër. “Është e vështirë të përshkruaj me fjalë ndjesinë që kam për t’u bërë lojtar i Mançester Junajtid” tha Kunja. “Që kur isha fëmijë në Brazil dhe shikoja ndeshjet e Premier League në televizor te shtëpia e gjyshes, Junajtid ishte skuadra ime e preferuar në Angli, dhe ëndërroja të vishja fanellën e kuqe.

“Mezi po pres të nisë faza përgatitore për ta njohur ekipin dhe për t’u përgatitur për sezonin e ri. I gjithë fokusi im tani është të punoj fort për të qenë një pjesë e vlefshme e skuadrës dhe për të ndihmuar që ky klub të rikthehet në majë”, nënvizoi ai. 26-vjeçari shënoi 33 gola dhe dha 15 asistime në 92 paraqitje me Uolves, prej të cilëve 15 gola vetëm sezonin e kaluar në Premier League. Kunja ndihmoi Brazilin të kualifikohej në Kupën e Botës 2026 të martën, kur asistoi golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Paraguajit në shtëpi. Ai asistoi për golin e Vinicius Junior. Mançester Junajtid e përfundoi sezonin e kaluar në vendin e 15-të në Premier League me 42 pikë.

Ky transferim është shitja më e shtrenjtë në historinë e Uolves, duke kaluar shifrën e 53 milionë paundëve që kishin marrë nga Mançester Siti për Matheus Nunes në vitin 2023. Ndërkohë, Trent Aleksander-Arnold u prezantua sot edhe zyrtarisht si futbollist i ri i Real Madridit, me të cilin nënshkroi kontratë afatgjatë. Futbollisti anglez i befasoi të gjithë teksa foli në gjuhën spanjishte gjatë prezantimit të tij. Mbrojtësi i djathtë u shfaq i emocionuar që iu bashkua klubit më të madh në histori té futbollit, ndërsa do të jetë pjesë e “Los Blancos” në Botërorin e Klubeve, i cili do të nisë më 15 qershor.

“Faleminderit presidentit Florentino Perez dhe Real Madridit për këtë mundësi. Nuk është një mundësi që të vjen çdo ditë për të nënshkruar me Real Madridin, është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë i lumtur dhe krenar që jam këtu. E kam një dëshirë të madhe t’ua tregoj lojën time madrilenëve. Të luash për Real Madridin është një përgjegjësi e madhe. Dua të fitoj shumë tituj, të jem kampion dhe ta shijoj veten me më të mirët në botë. Faleminderit dhe Hala Madrid!”, u shpreh Arnold, që zgjodhi fanellën me nr.12.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here