Daku i vë kushte financiare Rubin Kazanit, Muçi paralajmëron largimin nga Beshiktashi

0
22

Adriatik BALLA

Sulmuesit e Kombëtares tonë në këtë moment po shqyrtojnë ofertat që u kanë ardhur nga klube të ndryshme dhe besohet se pjesa më e madhe e tyre do të ndryshojnë skuadër në këtë merkato vere. Ernest Muçi është pranë largimit nga Beshiktashi, ndërkohë që Mirlind Daku ushtron presion tek Rubin Kazani që të rrisë rrogën ndryshe shkon te Lokomotiva e Moskës. Ndërkohë, Rei Manaj po shqyrton ofertat që i kanë ardhur nga klubet gjermane dhe italiane e dëshiron të shkëputet nga Sivaspori, kurse Armando Broja e ka derën e hapur të largimit nga Çelsi pasi klubi anglez nuk e ka në planet e tij për sezonin e ri.

Daku i vë kushte financiare klubit të Runin Kazanit

Për në Rusi të ardhurat i ka në rregull. Nuk janë të shumtë ata që marrin 700 000 euro në sezon në Premier Ligën e këtij vendi, aq më tepër në kushtet e luftës që vazhdon në Ukrainë, veçse Mirlind Daku dëshiron shumë më tepër se kaq. Sipas mediave ruse, sulmuesi i kombëtares shqiptare dëshiron rritje të ndjeshme të pagës vjetore deri në nivelin e 1.6 milionë eurove, diçka që nuk dihet nëse Rusia mund t’ia sigurojë. Natyrisht, 1.6 milionë euro do të ishin të mundura bashkë me bonuset, por gjithsesi mund të sigurohen.

Mediat në Rusi shkruajnë se Daku dhe babai i tij e kërkuan këtë rrogë kur Lokomotiva bëri ofertën për të marrë futbollistin në janar. Ku do të jetë e ardhmja e tij? Rubin Kazani dëshiron ta mbajë, dhe kontrata vlen deri në verën e vitit të ardhshëm. Gjithsesi, në janar Daku mund të bisedojë me klube të tjerë dhe të largohet me parametër zero, ndaj edhe klubi nga Tatarstani do të mendojë edhe mundësinë për ta transferuar këtë verë. Në janar, për kartonin e tij u kërkuan 10 deri në 12 milionë euro, ndërsa vetë dëshira e lojtarit është që të luajë në një nga pesë ligat e mëdha europiane.

Muçi paralajmëron largimin nga Beshiktashi

Situata te Beshiktash vazhdon të jetë e tensionuar pas përfundimit të sezonit, dhe sipas mediave turke, disa lojtarë kanë filluar të reagojnë ndaj mesazhit të qartë të drejtuesve të klubit pas ndeshjes me Bodrumspor: “Kushdo që dëshiron, mund të largohet.” Një nga emrat më të përfolur është Ernest Muçi, mesfushori ofensiv shqiptar, i cili u transferua te gjigantët e Stambollit gjatë merkatos së janarit 2024 për një tarifë prej 10 milionë eurosh. Sipas raportimeve, Muçi ka shprehur pakënaqësinë e tij, duke u ndier i “sulmuar” për performancën e ekipit, edhe pse kontributi i tij ishte i dukshëm në fushë.

Me 55 ndeshje, 11 gola dhe 4 asistime për Beshiktash, Muçi besohet se i ka dërguar një mesazh klubit përmes agjentit të tij, ku ka deklaruar: “Nuk dua të qëndroj aty ku nuk më duan. Më jepni tarifën e transferimit dhe do të largohem”, theksoi ai. Në përgjigje, drejtuesit e klubit i kanë bërë të ditur se janë të gatshëm të pranojnë largimin e tij nëse paraqitet një ofertë prej 12 milionë eurosh, ndërkohë që raportohet se ekziston hapësirë për negociata rreth kësaj shifre. Muçi ishte një nga blerjet më të bujshme të sezonit për klubin bardhezi, por situata aktuale e brendshme dhe klima e pasigurisë duket se po e shtyjnë drejt një largimi të mundshëm këtë verë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here