Broja gjithnjë e më larg Çelsit, Etrit Berisha fiton Kupën e Suedisë me Haken

0
101

Adriatik BALLA

Çelsi është shumë pranë finalizimit të transferimit të sulmuesit premtues Liam Delap nga Ipsuiç, duke fituar garën ndaj një sërë klubesh të mëdha nga Anglia dhe Europa. Vendimi i Delap për të zgjedhur “Blutë” konfirmon jo vetëm prioritetin e tij për të vijuar karrierën në “Stamford Bridge”, por njëkohësisht mbyll përfundimisht derën për Armando Brojën që të ketë një vend në klubin londinez. Sipas “The Athletic”, Delap i ka njoftuar të gjithë klubet e interesuara – përfshirë Mançester Junajtid, Njukasëll, Everton, Notingham Forest, Milan dhe Juventus – se do t’i refuzojë për t’u transferuar te Çelsi.

Sulmuesi 22-vjeçar, i biri i ish-futbollistit Rori Delap, ka shkëlqyer këtë sezon me 12 gola për Ipsuiç, dhe klauzola e lirimit prej 30 milionë paundësh ka nxitur interes nga shumë klube elitare. Trajneri i Ipsuiç, Kieran McKenna, konfirmoi ditë më parë se Delap po shqyrtonte të ardhmen pas rënies së skuadrës nga Premier League, dhe tani duket se vendimi është marrë. Për Çelsin, ardhja e Delap do të thotë se fokusi për repartin ofensiv është i mbyllur, duke larguar përfundimisht mundësinë që Armando Broja të rikthehet te Blutë, pas huazimit dhe një sezoni të vështirë te Everton. Ky zhvillim gjithashtu mund të ndikojë në planet e merkatos për emra si Viktor Xhiokeres dhe Benjamin Sesko, të cilët ishin përfolur si objektiva të Çelsit, por tani janë më afër objektivave të Arsenalit apo Mançester Junajtid.

Ndërkohë, “Djajtë e Kuq” pritet të përqendrojnë vëmendjen e tyre te transferimi i Matheus Kunja nga Uolves për rreth 62.5 milionë paund. Siç dihet sulmuesi i Kombëtares u rikthye nga huazimi tek Evertoni. Duke qenë se hapësirat po mbyllen edhe më tepër, londinezët vështirë ta mbajnë në skuadër. Për këtë duhen pritur zhvillimet e ditëve në vazhdim. Por Broja me të gjitha gjasat do të largohet nga Çelsi.

Etrit Berisha pret dy penallti dhe shënon e fiton kupën

Trajneri Silvinjo ka ftuar në kuadër të ndeshjeve të qershorit Thomas Strakoshën dhe disa portierë të rinj, por ka kohë që nuk e ka në planet e tij Etrit Berishën, i cili i është kthyer futbollit madje me pompozitet e trofe, aq sa dje la gjurmë të shkëlqyera në futbollin suedez. Në fakt, dje ishte një ditë e paharrueshme për Etrit Berishën. Portieri shqiptar bëri heroi për Haken, që fitoi Kupën e Suedisë. Ndaj kampionëve të Malmos, gjithçka u vendos përmes penalltive. Ishte Berisha që mori në dorë fatin e skuadrës së tij duke shënuar një gol dhe duke pritur dy penallti. Pasi koha e rregullt dhe shtesa kishin përfunduar në barazim 0 me 0, 11-metërshat vendosën fituesin e trofeut të Kupës. Nga aty, Berisha u tregua i saktë në penalltinë e goditur vetë ndërsa priti edhe dy të tjera. Ky rezultat ndaj kampionëve të Suedisë rikthen momentet e bukura te Berisha, që po luan futboll nga prilli. Kujtojmë se gardiani kuqezi ishte pa skuadër nga fillimi i sezonit dhe deri në prill ku firmosi me Haken.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here