Një ngjarje tronditëse ka ndodhur pasditen e sotme në Merseyside, ku një makinë është futur me shpejtësi mes turmës së tifozëve të Liverpool, që po festonin titullin e Premier League, duke shkaktuar përplasje të dhjetëra këmbësorëve.
Sipas autoriteteve lokale, incidenti ndodhi pak pas orës 18:00 në Water Street, ku mijëra tifozë ishin mbledhur për të ndjekur paradën e fitores së ekipit nën drejtimin e trajnerit Arne Slott.
“Një makinë u përplas me disa këmbësorë dhe ndaloi në vendngjarje. Një burrë është arrestuar”, konfirmoi policia e Merseyside në një deklaratë zyrtare.
Shërbimet e emergjencës u paraqitën menjëherë në terren, duke u dhënë ndihmën e parë të plagosurve, ndërsa ambulanca u panë duke transportuar disa prej tyre në drejtim të spitaleve më të afërta.
Një dëshmitar okular që e përjetoi ngjarjen nga një apartament përballë vendit të ngjarjes tha për Sky News:
“Zhurma ishte e tmerrshme. Njerëzit bërtisnin dhe kërkonin me dëshpërim ndihmë.”
Aktualisht nuk është bërë e ditur numri i saktë i të plagosurve, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e incidentit, i cili ka lënë një hije të rëndë mbi festimet e titullit të shumëpritur nga tifozët e “The Reds”.