Gazetarja Klodiana Lala, në një emision televiziv, ka dhënë informacion të ri mbi operacionin “URA” të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) dhe bashkëpunimin me antimafian italiane, që u fokusua në Durrës dhe goditi një nga grupet kriminale më të forta në zonë.
Sipas Lalës, ky grup kriminal ka qenë shumë i përfshirë në mbështetjen e kandidatëve të listës së hapur në zgjedhjet lokale, duke krijuar tensione dhe përplasje, sidomos mes grupit të Troplinëve dhe Vangjush Dakos, ish-kryetar i bashkisë Durrës, lidhur me përbërjen e listës së kandidatëve për bashkinë në vitin 2027.
Lala theksoi se, pavarësisht kritikave të opozitës për ndërhyrjen pas zgjedhjeve të 11 majit, ekzistonte një dakordësi mes Shqipërisë dhe Italisë që operacioni të zhvillohej më 21 maj, për shkak të pritjes së një ngarkese të madhe droge që vinte nga Ekuadori.
“Prokuroria e Posaçme kërkoi urdhra arresti për 29 persona në Shqipëri dhe Itali në mars, por gjyqtari kërkoi më shumë kohë për vendimin. Ai u dha më 5 maj, vetëm një javë para zgjedhjeve. Në datën 7 maj pati një takim mes palës shqiptare dhe antimafias italiane dhe u vendos që ndërhyrja të ndodhte më 21 maj, për shkak të ngarkesës së drogës nga Ekuadori që po ndiqej,” – tha gazetarja.
Në operacion u godit një grup kriminal shumë i strukturuar, që kishte mbijetuar shumë aksione të mëparshme të SPAK. Në vitin 2024, ky grup i kishte sekuestruar SPAK-ut 3 milionë euro.
Grupi funksiononte me transferta parash nga organizata mafioze italiane, ku miliona euro trafikoheshin nga shitja e drogës në Itali dhe më pas hynin në Shqipëri. Paratë transportoheshin përmes shoferëve të besuar dhe metodave të sofistikuara, duke përdorur edhe autobusë me pak pasagjerë për të mos ngritur dyshime.
“Në një video call më 7 maj, u mor vendimi për datën 21 maj si momentin e ndërhyrjes, për shkak të një ngarkese të drogës nga Ekuadori që ishte duke u monitoruar,” shtoi Lala.
Operacioni “URA” shënoi një goditje të rëndësishme ndaj një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Durrës, duke hedhur dritë mbi lidhjet mes krimit të organizuar, politikës lokale dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.
Deklarata e plotë:
“Prokuroria e Posaçme iu drejtua gjykatës në mars të këtij sepse bëhej fjalë për 29 urdhër arreste në Shqipëri dhe në Itali. Ka kërkuar kohë më të gjatë gjyqtari për arsyetimin e vendimit sepse bëhej fjalë për 29 urdhër arreste në Shqipëri dhe në Itali. Zyrtarisht Prokuroria e Posaçme e ka patur vendimin të arsyetuar më 5 maj, një javë përpara zgjedhjeve. Opozita ka patur akuza të forta ndaj grupit të Troplinëve për shitblerje votash, apo favorizim kandidatësh. Edhe unë kam dyshime të forta se ky grup është angazhuar fuqishëm për mbështetjen e kandidatëve të listës së hapur, por pa prova.
Gjithashtu ka një përplasje mes grupit të Troplinëve dhe Vangjush Dakos, ish-kryetar i bashkisë së Durrësit që ka të bëjë me emrat e listës së hapur dhe pretendimet për listën e kandidatëve për bashkinë e Durrësit në 2027. Më 5 maj ka patur vendim SPAK dhe më 7 maj është bërë një takim mes palës shqiptare dhe antimafias italiane dhe është vendosur që ndërhyrja të jetë më 21 maj, pra në dakordësi mes dy vendeve. Kjo është edhe kronologjia e kësaj ngjarjeje. Është goditur një prej grupeve që i kishte mbijetuar shumë aksioneve të SPAK. Në 2024 SPAK sekuestroi 3 milionë euro. E dyta ka të bëjë me transfertat e parave.
Janë 13 episode që kanë ardhur para nga organizata e njohura mafioze në Itali nga shitja e drogës atje dhe mënyra se si silleshin në Shqipëri. Një grup i strukturuar kriminal që punonte me shoferë të besuar me miliona euro që silleshin dhe një autobus mund të vinte nga veriu i Italisë me vetëm 10 pasagjerë sepse fitimet dihet se si ishin për shkak të milionave që silleshin duke u futur në vende të posaçme. Ka patur një mbledhje në video call në datën 7 maj dhe është vendosur që ndërhyrja të jetë me datën 21 maj për shkak të një ngarkese të mundshme droge që pretendohej të vinte nga Ekuadori dhe ishin duke ndjekur sasinë e drogës”, tha Lala.