Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një emision televiziv, ka dhënë detaje tronditëse mbi arrestimin e shumëkërkuarit Dritan Gjika, i njohur si drejtuesi i një prej grupeve më të fuqishme kriminale në Amerikën Latine.
Sipas Lalës, Gjika ka trafikuar tonelata droge dhe dyshohet se ka pastruar mbi 32 milionë euro, përmes një skeme të sofistikuar që përfshinte dhe përdorimin e sistemit të njohur “Hawala”, ku paratë nuk transferohen fizikisht, por kalojnë nga një vend në tjetrin përmes rrjeteve të ndërmjetësve, pa lënë gjurmë bankare.
“Bëhet fjalë për një nga njerëzit më të rëndësishëm të narko-trafikut në Ekuador. Dritan Gjika është kreu i një grupi shumë të fuqishëm që ka trafikuar tonelata droge. Lidhjet e tij shkojnë deri te ish-presidenti i Ekuadorit,” – tha Lala.
Ajo shtoi se Gjika është ekspozuar për herë të parë nga Inside Crime, ndërsa aktiviteti i tij kriminal shtrihet në Ekuador, Kolumbi, Spanjë dhe vendet e Amerikës Qendrore dhe Europës.
Lala gjithashtu theksoi se në Ekuador janë shpallur në kërkim edhe gjyqtarë për favorizimin e Gjikës, çka tregon se ndikimi i tij shtrihej në nivele të larta të pushtetit. Ai kishte lidhje me njerëz të rëndësishëm të politikës dhe drejtësisë në Ekuador.
“Grupi që ai drejtonte përfshinte eksponentë nga Shqipëria, Ekuadori, Kolumbia e vende të tjera. Krahas drogës, ata merreshin edhe me pastrim parash përmes rrjeteve ndërkombëtare,” – theksoi gazetarja.
Lala u shpreh se në Shqipëri rasti nuk ka marrë vëmendjen e duhur, megjithëse dyshohet për përfshirje edhe në pastrimin e parave brenda vendit.
Dritan Gjika u arrestua së fundmi në Emiratet e Bashkuara Arabe në një operacion ndërkombëtar dhe është subjekt i dy Njoftimeve të Kuqe të Interpolit për trafik droge, organizatë kriminale dhe pastrim parash. Ai pritet të ekstradohet drejt Ekuadorit, ku do të përballet me akuzat e ngritura nga autoritetet vendase.