Real Madrid ka zyrtarizuar ndarjen nga trajneri legjendar Carlo Ancelotti, duke mbyllur një nga kapitujt më të lavdishëm në historinë 123-vjeçare të klubit.
Gjatë gjashtë viteve në stolin madrilen, Ancelotti është trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit, me 15 trofe madhorë, përfshirë: 3 Champions League, 3 Kupa Botërore për Klube, 3 Superkupa Europiane, 2 tituj La Liga, 2 Copa del Rey dhe 2 Superkupa të Spanjës.
Florentino Pérez, presidenti i klubit, deklaroi:
“Carlo Ancelotti do të jetë përgjithmonë pjesë e familjes së madhe të Real Madridit. Jemi krenarë për gjithçka që ka arritur dhe mënyrën shembullore me të cilën ka përfaqësuar vlerat tona.”
Ndeshja e fundit e Ancelottit si trajner i “Los Blancos” do të zhvillohet nesër në stadiumin Santiago Bernabéu, ku klubi ka planifikuar një homazh special për nder të tij.
Sipas raportimeve, destinacioni i radhës i Ancelottit pritet të jetë kombëtarja e Brazilit, ku ai do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij brilante.
Real Madrid i uron fat dhe suksese Ancelottit dhe familjes së tij në sfidat që e presin.