Në prag të ndeshjes së kthimit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, mbrojtësi i Interit, Alesandro Bastoni, foli në një konferencë për shtyp duke theksuar forcën kolektive të skuadrës zikaltër dhe rëndësinë e mbështetjes së tifozëve në përballjen kundër Barcelonës.
“Individualisht nuk jemi mes katër skuadrave më të mira në Europë, por vetëm kur jemi të bashkuar arrijmë të nxjerrim në pah cilësitë tona. Ëndrra jonë ka qenë të luajmë këto ndeshje dhe përpiqem të shijoj çdo emocion që sjellin”, u shpreh ai.
I pyetur për statusin e Interit si një nga klubet e mëdha të kontinentit, Bastoni ishte i prerë: “Fjalët s’kanë më vlerë – është fusha që flet, dhe fusha thotë se Interi është një nga më të mëdhatë në Europë. Nuk jemi fshehur kurrë.”
Lidhur me përballjen me stilin e lojës së Barcelonës, Bastoni shtoi: “Do të ketë momente vuajtjeje të madhe, sepse mënyra e lojës së Barcelonës të detyron ta përjetosh këtë. Në ato momente do të na duhet shtytja e gjithë popullit zikaltër. Tifozët duhet të jenë zjarr, ne të ruajmë ftohtësinë në fushë.”