Evi Kokalari shpall fundin e Berishës dhe Ilir Metës në zgjedhje dhe paralajmëron revolucion në opozitë pas 12 majit

0
63

Aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka deklaruar se data 11 maj, dita e zgjedhjeve në Shqipëri, do të shënojë fundin politik të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir meta. Sipas saj, fitorja e pritshme e Edi Ramës nuk do të jetë humbje për opozitën apo për Partinë Demokratike në tërësi, por një humbje e thellë personale për Berishën dhe Metën, të cilët, siç thekson Kokalari, kanë përdorur opozitën për të mbrojtur interesat dhe lirinë e tyre personale. Në një deklaratë të shpërndarë publikisht, Evi Kokalari shkruan: “Në 11 Maj, kur të fitojë Edi Rama, kuptoni që zgjedhjet nuk i kanë humbur të djathtët dhe as PD-ja, por vetëm Sali Berisha!!!”.

Ajo thekson se fushata zgjedhore nuk është një përpjekje për të rikthyer opozitën në pushtet apo për të ofruar alternativë qeverisëse, por një betejë personale e dy liderëve të vjetër politikë. “Kjo luftë në këtë fushatë bëhet për Berishën dhe Metën që duan me çdo kusht t’i shpëtojnë drejtësisë, dhe s’ka lidhje me opozitën, të cilën këta me vetëdije të plotë e kanë ndarë në 100 copa”, shprehet ajo. Kokalari e konsideron të domosdoshëm largimin e menjëhershëm të Berishës nga skena politike shqiptare: “Më 12 Maj, Berisha bën mirë të japë dorëheqjen dhe realisht të zhduket nga skena politike, sepse ky popull s’i ka asnjë kusur”, shprehet Kokalari. Ajo kritikon ashpër qëndrimin e Berishës brenda PD-së dhe mënyrën si ai ka trajtuar strukturat dhe anëtarësinë. “Partia Demokratike jo vetëm që nuk është e tija, por të mbyllë gojën e të zhduket pa thënë asnjë fjalë, se i ka shumë borxhe çdo individi në atë parti”, shkruan ajo.

Në të njëjtën linjë, Evi Kokalari bën të qartë se pas 12 majit do të nisë një epokë e re për opozitën shqiptare – një rilindje pa Sali Berishën dhe Ilir Metën: “Në 12 Maj fillon bashkimi real i opozitës, PA SALI BERISHËN dhe kurrë më në koalicion me Ilir Metën!”, thotë Kokalari. Pra qëndrimi i Kokalarit është një thirrje për pastrim, reflektim dhe rindërtim të opozitës shqiptare mbi vlera të reja dhe me figura të reja politike. Ajo përçmon çdo përpjekje për të mbajtur në jetë një establishment të konsumuar politik dhe e sheh 12 majin si një pikë kthese.

Sulmet ndaj mediave të Berishës

Kokalari nuk ndalet me kaq. Në një reagim tjetër, ajo shënjestron edhe median “Syri.net”, duke e akuzuar si instrument të kontrolluar nga Berisha dhe të përdorur për manipulimin e opinionit publik. Ajo ironizon pretendimin se media nuk ka fonde për sondazhe të pavarura, duke përmendur faktin se një pjesëtar i skuadrës është Tony Fabrizio, një prej sondazhistëve më të njohur në SHBA dhe një ish-bashkëpunëtor i Presidentit Trump. “Cim mënçuria i Syrit, që është pronë e atij që sapo firmosi $6 million kontratë për t’i hequr njollën, thotë se s’kanë fonde për të bërë sondazhet vet.

Ndërkohë, njëri nga ata në skuadrën e LaCivitës është Tony Fabrizio – sondazist, madje ishte dhe sondazhisti i Presidentit Trump”, shkruan ajo. Kokalari shpreh indinjatën e saj për nivelin e manipulimit dhe mungesën e transparencës në komunikimin politik të kampit Berisha-Meta: “Për kaq budallenj e merrni këtë popull o të shkretë? E kuptoni në çfarë niveli hipokrizie jeni? As hija juaj s’ju beson më!” Sipas saj, mungesa e publikimit të sondazheve vjen pikërisht sepse ato nuk i favorizojnë liderët aktualë të opozitës: “Shanset janë që dhe sondazhet tuaja ju nxjerrin humbës, prandaj nuk ‘bëni’… paranë tashmë e kemi të qartë që se keni problem”, shprehet Kokalari.

Aktivistja ka komentuar dhe praninë e Adriatik Lapajt në emisionin “Opinion”. Ajo thotë se ai është vegël e Sali Berishës dhe Ilir Metës, ndaj dhe e promovojnë në media. “Nëse kishit dyshime më parë se kush është me kë, dua t’ju kujtoj se Edi Rama ka thënë troç që Llapaj është vegël e Berishës (dhe e Metës siç ju kam thënë dy vjet më parë), dhe Blendi Fejvziu i jep platformë absolute Llapajt në vend që të mbuloj detajet e kontratës $6 millionshe të Sali Berishës. Ndërkohë, skandalin e Lelës për shpifjet ndaj djalit të presidentit Trump, e anashkaloi si gjëra që ndodhin në Shqipëri, dhe e normalizoi si diçka të zakonshme. Veç përpara, Shqipëria madhështore, veç përpara”, shkruan ajo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here