Hidhet shorti i “Final Four, Partizani përballë Egnatias, Dinamo përplaset me Vllazninë

0
13

Kampionati hyn në fazën finale të tij, aty ku do të përcaktohet edhe fituesi i titullit kampion për këtë edicion. Kështu, ditën e djeshme, është hedhur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” shorti i fazës “Final 4” në kampionatin “Abissnet Superiore”, teksa përballë janë vendosur Egnatia – Partizani dhe Vllaznia – Dinamo Siti. Në shortin e organizuar nga Federata e Futbollit morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidentë dhe përfaqësues të klubeve të kualifikuara në “Final Four”, si edhe përfaqësues të medias. Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka mbajti një fjalë përshëndetëse për të gjithë të pranishmit në sallë, duke i uruar shumë fat, katër ekipeve finaliste në “Final 4”.

“I uroj mirëseardhjen klubeve finaliste dhe përfaqësuesve të mediave në këtë event të rëndësishëm të garës së ‘Abissnet Superiore’. Jemi në fillimin e fundit të këtij kompeticioni vërtet të suksesshëm. Një kompeticion me 36 javë që ka dhuruar emocione gjatë gjithë 36 javëve dhe sidomos në momentet e fundit të garës. Kjo garë është luajtur si rrallë më parë për të përcaktuar klasifikimin deri në javën e fundit. Kjo e bën akoma më të bukur garën. Kjo lojë bëhet e bukur kur të gjithë bashkë kontribuojmë për këtë. Dhe për këtë dua të falënderoj të gjithë futbollistët, për kontributin e tyre gjatë këtij viti në ‘Abissnet Superiore’. Pa dyshim presidentët, drejtuesit e klubeve, trajnerët, jo vetëm të katër finalisteve, por të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në këtë kampionat. Tani jemi në fazën finale, ku do të përcaktohet edhe kampioni i këtij sezoni.

U uroj shumë suksese të katër skuadrave që janë pjesëmarrëse në fazën finale. Dhe, duke qenë se do marrin pjesë edhe në Kupat e Europës, u uroj suksese në garat europiane. I gjithë futbolli shqiptar ka shumë nevojë që të kemi rezultate dhe të gjithë bashkë do t’i mbështesim të katër skuadrat në këto kompeticione. Të shijojmë emocionet e Final 4 dhe të kemi një garë sa më kompetitive dhe sa më shumë spektatorë në shkallët e stadiumit” – tha Presidenti Duka në fjalën e tij. Ndeshja e parë gjysmëfinale, Vllaznia – Dinamo City, do të luhet të dielën, më 4 maj, në orën 20:00. Ndërsa gjysmëfinalja e dytë, Egnatia – Partizani do të zhvillohet të hënën, më 5 maj, në orën 20:00.

Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë, në këtë rast Egnatia dhe Vllaznia. Të gjitha ndeshjet e fazës “Final 4” do të luhen në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Shanset

Ekipet janë të motivuara për të dhënë maksimumin e tyre, por vështirësia e Partizanit për të kaluar Egnatian është evidente. Surpriza edhe mund të ketë dhe në dyshen tjetër gjysmëfinale, Dinamo e Vllaznia kanë shanse pothuajse të barabarta. Gjithçka duket e hapur, por në fund të fundit, çdo qytet e dëshiron trofeun e titullit. Egnatia synon të përsërisë suksesin e vjetshëm, Dinamo kthimin tek lavdia e dikurshme pas më shumë se 15 vjetësh, Partizani s’fiton titull prej disa vitesh, kurse shkodranët prej 24 vjetësh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here