Berisha dhe Rexhbeçaj spikasin me Augsburgun në Gjermani

0
24

Shqiptarët e kanë rritur prezencën e tyre në disa kampionate cilësore në perëndim, duke qenë gjithnjë e më të kuotuar në treg, më të shumtë në numër e më të paguar, pa harruar faktin se shumë syresh, kanë zgjedhur të luajnë për Shqipërinë. Nuk janë të paktë shqiptarët që luajnë edhe në kampionatin gjerman. Asnjë skuadër tjetër në elitën e futbollit gjerman nuk ka formë më të mirë se Augsburgu në dhjetë ndeshjet e fundit. Skuadra ku aktivizohet mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj dhe sulmuesi Mërgim Berisha, nuk kanë pësuar humbje në këtë periudhë.

Augsburgu do të mundohet që ta vazhdojë këtë ecuri pozitive të rezultateve edhe të shtunën në udhëtim te Hofenheimi, në ndeshjen e xhiros së 27-të. Berisha do të luajë ndaj ish-skuadrës, pasi tek Augsburgu u huazua në janar të këtij viti nga Hofenheimi. Berisha edhe tek Augsburgu kishte luajtur më parë, ndërsa në total i ka zhvilluar 26 ndeshje dhe ka kontribuuar me nëntë gola e katër asistime. “Mërgim Berisha ka stërvitur me ekipin sipas planit dhe e ka rritur ritmin. Po duket mirë. Ai është i pari në fushë, ndihet rehat dhe mezi pret të luajë. Mërgimi është në rrugë të mirë”, tha trajneri i Augsburgut, Jes Thorup.

Vojvoda, një tjetër shqiptar shkëlqen me Komon

Mbrojtësi i Komos, Mërgim Vojvoda, ka arritur sukses të madh me Kosovën, duke u ngritur në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s për herë të parë në histori. Kosova fitoi dy ndeshjet e plejofit për Ligën B kundër Islandës me rezultat të përgjithshëm 5:2. Në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve do të paraqitet në Ligën B. “Arritja në Ligën B të Ligës së Kombeve është arritje e madhe dhe një burim krenarie e madhe për vendin tonë”, ka thënë Vojvoda. Në ndeshjen e parë, të luajtur në Prishtinë më 20 mars, Kosova fitoi 2:1 falë golave të Lumbardh Dellovës dhe Elvis Rexhbeçajt. Vojvoda në fushë ishte gjatë 80 minutave. Në ndeshjen e kthimit, të luajtur tri ditë më vonë në Murcia të Spanjës, Kosova fitoi 3:1 me tregolëshin e Vedat Muriqit. Vojvoda në ndeshjen e kthimit luajti 90 minuta. Kontributi i tij u vlerësua i madh në suksesin historik të Kosovës në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s. 30-vjeçari me fanellën e Kosovës ka shënuar dy gola në 51 ndeshje nga viti 2017.

Ai luan në pozitën e mbrojtësit të krahut të djathtë. Por shpesh është aktivizuar edhe në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë. Vojvoda ka folur edhe për integrimin e tij në Komo. Momenti i mirë i Vojvodës me Kosovën mund t’i shërbejë shumë edhe Komos në ndeshjet e ardhshme. Pasi mbërriti në Komo në shkurt, Vojvoda debutoi në Serie A kundër Napolit, duke iu afruar më pas golit ndaj Romës. Ai në ndeshjen në udhëtim ndaj Romës kishte qëlluar shtyllën në minutat e fundit. “Këtu në Komo ne punojmë shumë në teknikë, posedim të topit dhe ndërtimin e lojës nga prapa. Është një qasje ndryshe në krahasim me ekipin kombëtare, ku ka metoda të tjera dhe një stil tjetër loje. Por ne po stërvitemi mirë dhe tani jemi të fokusuar në ndeshjen e radhës në shtëpi kundër Empolit”, thaVojvoda. Nga triumfi me Kosovën deri në fillimin e kapitulli të tij të ri në Itali, sezoni i Mërgim Vojvodës po merr vlerë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here