Janë rreth 90 faqe audiopërgjime të bëra nga Prokuroria e Posaçme me komunikime të kryebashkiakut Erion Veliaj me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe vëllain e tij Arbër Veliaj për çështje të rëndësishme. Thuhet se aty ka biseda dhe të komploteve të Veliajt edhe me besnikët e tij për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama pas zgjedhjeve të 11 majit. Madje ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët, ka denoncuar së fundmi se Veliaj i ka çuar haber kryeministrit Edi Rama me anë të bashkëshortes së tij për t’i kujtuar se ministrja Belinda Balluku i ka paguar Olsit 2 milionë euro në Greqi.
“Erionin e lëshoi se, ai bëri gabimin fatal se u paraqit si zëvendësi i tij. Mos mendo ti se e ka lëshuar Rama atë për arsye tjetër. Absolutisht jo, se e dinte se në 12 maji i zinte vendin ai. Ishte i papërmbajtur në karrierë. Tha më mirë i futi dhe ato çimkat me Uluziun, ja nxori regjistrimet ku i thotë ndër të tjera, Ajolës, shko e thuaji Ramës se, Belinda i ka paguar Olsit 2 milionë euro në Greqi. Dhe ajo shkon i thotë, ajo nuk e dinte se çdo operacion aty drejtohej nga Rama”, u shpreh Berisha.
Përgjimet e tjera
Nga ana tjetër, gazetarja Klodiana Lala, është shprehur se një nga personat për të cilët Veliaj flet me urrejtje, është Arbjan Mazniku, për të cilën ka një gjuhë mjaft të papërshtatshme. “Veliaj, ndoqi strategji të gabuar në mënyrën si e ndërtoi narrativën. Veliaj mund të ishte në situatë tjetër ligjore, por të merrej në mënyrë proceduriale dhe jo në kurthin ku e futën të vetët. Përmendet termi redaktori, është e vërtetë ajo që thotë zoti Berisha. Statuset shkruhen nga jashtë, ai flet për thelbin dhe shkruhet. Një nga njerëzit që mund të ishte pranë zotit Veliaj dhe ai e përmend në përgjime është zoti Mazniku dhe që Veliaj ka një lloj urrejtje. Ai ka pritur që Mazniku të bënte të pamundurën për të. Kam patur mundësi të informohem nga përgjimet. Në mënyrën se si e sulmon dhe gjuhën që përdor ndaj zotit Mazniku, mes tyre ka një krisje shumë të madhe dhe rrugët janë ndarë.
Veliaj flet me urrejtje për Maznikun dhe gjuhë të papërshtatshme. Duket se Veliaj diku në mes të rrugës ka kuptuar se është tradhtuar. Klotilda Bushka ka qenë shumë pranë Veliaj, sot nuk besoj. Në kushtet kur është në telashe me drejtësinë dhe pozita e saj është shumë delikate dhe rrezikon të shkojë e pandehur, nuk besoj se është në kushtet për ti dhënë ndihmë. Xhafaj është në pikëpyetje për vete. Sot që flasim Xhafaj e ka luftën me listën e hapur, hyn apo jo në Parlament. Kur zoti Xhafaj, mund të mbetet jashtë parlamentit, apo për probleme të tjera, është një person i dobësuar në pushtetin e vet. Besoj se zotit Veliaj, për mënyrën se si u soll dhe ngriti narrativën… Ka shumë të larguar në Bashki dhe askush nuk flet, me dorëheqje, shkarkime, ka përplasje brenda grupimeve. Nëse Veliaj do të vepronte ndryshe, mbase mund të dëmtonte realisht Ramën në zgjedhje. Fakti që u tërhoq, kuptohet që nuk është në kushtet për të hapur betejë me Edi Ramën”, tha Lala.
Veliaj tentoi të luajë kartën e problemeve mendore
Lala madje zbuloi se Veliaj ka kërkuar konsultë me psikiatrin pas publikimit të përgjimeve të SPAK. Sipas gazetares, Veliaj pretendoi se nuk ishte në gjendje të mirë psikologjike dhe për këtë arsye kishte folur në mënyrën që pasqyrojnë përgjimet. Ajo thekson se ai ka kërkuar një vlerësim mjekësor për të justifikuar komunikimet e tij. “Zoti Veliaj pasi është bërë me dije për përgjimet, ka pretenduar se nuk është në gjendje të mirë psikologjike, ka kërkuar konsultë me psikiatrin.
Ka thënë *nuk kam qenë në situatën më të mirë mendore se është e pamundur të kem folur në këtë mënyrë. Ulsi Manja ka bërë një urdhër, është bërë inspektim nga Drita Jaka, shefe e sektorit të shëndetësisë në burgje, zyrtarja më jetëgjatë në këtë institucion. Zonja Jaka para se të merrte kontakt, ka bërë një inventar të të gjithë barnave që kanë hyrë. Është bërë inventar për barnat në gjendje dhe ato që i janë dhënë të paraburgosurëve. Në bashkëpunim edhe me mjeken e burgut kanë marrë kontakt me zotin Veliaj dhe rezulton se ai ka marrë vetëm ilaçe për tensionin, ka patur problematika me tensionin e lartë”, tha Lala.
































