Ushtria e Ukrainës ka hedhur poshtë pretendimin e Donald Trump se mijëra trupa të saj janë të rrethuar në rajonin Kursk të Rusisë, duke u shprehur se këto deklarata janë të rreme.
Shtabi i saj i përgjithshëm në vend të kësaj akuzoi Rusinë për fabrikim të raporteve për “manipulim politik dhe për të ushtruar presion mbi Ukrainën dhe partnerët e saj”.
Presidenti amerikan më herët sot i bëri thirrje Vladimir Putinit që t’u kursejë jetën “mijëra trupave ukrainase [të cilat] janë të rrethuara plotësisht” nga forcat ruse.
Pretendimi i tij dukej se bazohej në pohimin e Putinit se trupat e Kievit në Kursk, ku Rusia po fiton me shpejtësi terren, kishin vetëm dy zgjedhje: “Dorëzimi ose vdekja”. “Kjo do të ishte një masakër e tmerrshme, e paparë që nga Lufta e Dytë Botërore”, paralajmëroi Trump.
Si përgjigje, Ukraina njoftoi se nuk kishte “asnjë kërcënim për rrethimin e njësive ” në Kursk, sepse njësitë e saj ishin tërhequr në pozicione “më të favorshme”, gjë që konfirmuan analistët e mbrojtjes.