Propozimi për një armëpushim 30-ditor, rifillimi i ndihmës ushtarake dhe të inteligjencës amerikane për Kievin dhe gatishmëria për të përfunduar një marrëveshje për mineralet “sa më shpejt të jetë e mundur”. Këto janë pikat kryesore të deklaratës së përbashkët të lëshuar nga delegacionet e Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në fund të takimit të djeshwm në Jeddah të Arabisë Saudite, i cili zgjati më shumë se tetë orë.
Ukraina shprehu gatishmërinë e saj për të pranuar propozimin e SHBA-së për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përkohshëm 30-ditor, me mundësinë e zgjatjes së tij me marrëveshje të ndërsjellë të palëve. Tani, natyrisht, mbetet për t’u parë nëse Rusia do të jetë e gatshme të mbështesë këtë propozim, të cilin Uashingtoni ka premtuar t’ia komunikojë Moskës.
“Topi është tani në fushën e Rusisë për një armëpushim në Ukrainë,” komentoi Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio në Jeddah pas takimit, duke shtuar se propozimi i armëpushimit do t’i paraqitet Rusisë në ditët në vijim. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi gjithashtu se me këtë hapje Kievi ka treguar se është gati për paqe.
“Është Rusia ajo që duhet të tregojë gatishmërinë e saj për t’i dhënë fund luftës ose për ta vazhduar atë. Kjo është koha për të vërtetën”, tha kreu i shtetit ukrainas, duke komentuar rezultatin e bisedimeve të sotme.
“Në dritën e angazhimit të Kievit për një armëpushim të përkohshëm, Shtetet e Bashkuara do të heqin menjëherë pezullimin e shkëmbimit të inteligjencës dhe do të rifillojnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Delegacioni i Kievit përsëriti më pas dëshirën e tij që partnerët evropianë të përfshihen në procesin e paqes. Lidhur me marrëveshjen për shfrytëzimin e mineraleve kritike të Ukrainës, që është diskutuar për javë të tëra, presidentët e të dy vendeve ranë dakord ta përfundojnë atë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të rritet ekonomia ukrainase, të kompensohet kostoja e ndihmës së SHBA-së dhe të sigurohet prosperiteti dhe siguria afatgjatë e Ukrainës.
Nga pala ukrainase, në bisedimet në Jeddah morën pjesë shefi i Zyrës së Presidentit të Ukrainës Andriy Yermak, Ministri i Jashtëm Andrii Sybiha, Ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov dhe Zëvendës Shefi i Zyrës Presidenciale Pavlo Palisa.
Nga ana tjetër, delegacioni amerikan përbëhej nga Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz .