Zëvendëspresidenti amerikan ka ndezur polemika me komentet që ai bëri në lidhje me përfshirjen e mundshme të forcave ndërkombëtare për të kontrolluar një marrëveshje paqeje në Ukrainë.
Politikanët e opozitës në Mbretërinë e Bashkuar akuzuan JD Vance për mosrespektim të forcave britanike, pasi ai tha për Fox News se aksionet e SHBA-ve në ekonominë e Ukrainës ishin një “garanci më e mirë sigurie sesa 20 mijë trupa nga një vend i rastësishëm që nuk ka luftuar në 30, ose 40 vjet”.
Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë thënë se do të jenë të gatshme të vendosin trupa në terren në Ukrainë, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.
Vance këmbënguli se ai nuk “përmendi as Mbretërinë e Bashkuar apo Francën”, duke shtuar se të dy vendet “kishin luftuar me guxim përkrah SHBA-ve gjatë 20 viteve të fundit dhe më gjerë”.
Megjithatë, ai nuk specifikoi se cilit shtet (apo shtete) i referohej.
Në një postim në media sociale, ai shtoi: “Por le të jemi të drejtpërdrejtë: ka shumë vende që po mbështesin vullnetarisht (privatisht ose publikisht) të cilët nuk kanë as përvojë në fushën e betejës dhe as pajisje ushtarake për të bërë diçka kuptimplotë”.
Deri më tani vetëm Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë angazhuar publikisht trupa për të kontrolluar ndonjë marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë, megjithëse kryeministri Sir Keir Starmer ka thënë më parë se një “numër vendesh” kanë rënë dakord të angazhojnë trupa.
Më parë, komentet origjinale të Vance kishin tërhequr kritika nga politikanët e opozitës në Mbretërinë e Bashkuar.
Sekretari konservator i mbrojtjes në hije, James Cartlidge, vuri në dukje se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë dislokuar forcat së bashku me SHBA-të në Afganistan, duke shtuar: “Është thellësisht mungesë respekti të injorosh një shërbim dhe sakrificë të tillë”.
I pyetur në lidhje me komentet e Vance më vonë, udhëheqësi konservator Kemi Badenoch tha se zëvendëspresidenti nuk e quajti Britaninë një “vend të rastësishëm”.
“Shumë njerëz po rrëmbehen. Ata po thonë shumë gjëra dhe po ankimohen shumë. Le të mbajmë mendjen e ftohtë”, tha Badenoch.
Udhëheqësi i “Reformës” në Mbretërinë e Bashkuar, Nigel Farage, tha se Vance ishte “gabim, gabim, gabim”, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar “i qëndroi pranë Amerikës” për 20 vjet në Afganistan.
Zëdhënësja e mbrojtjes e Liberal Demokratëve, Helen Maguire, një ish-kapitene në Policinë Ushtarake Mbretërore që shërbeu në Irak, i kërkoi ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në SHBA, Peter Mandelson, t’i bënte thirrje Vance që të kërkonte falje për komentet.
“JD Vance po fshin nga historia qindra trupa britanike që dhanë jetën në Irak dhe Afganistan”, tha ajo.
“Unë pashë drejtpërdrejt se si ushtarët amerikanë dhe britanikë luftuan me guxim së bashku krah për krah. Gjashtë nga regjimenti im, Policia Ushtarake Mbretërore, nuk u kthyen në shtëpi nga Iraku. Kjo është një përpjekje e keqe për të mohuar këtë realitet”.
Deputeti konservator Ben Obese-Jecty, një ish-oficer i ushtrisë britanike që luftoi në Irak dhe Afganistan, tha: “Mos respekti i treguar nga zëvendëspresidenti i ri i SHBA-ve ndaj sakrificave të personelit tonë të shërbimit është i papranueshëm”.
Duke folur pasi Vance postoi në mediat sociale për të mbrojtur komentet e tij, Obese-Jecty tha për programin Politik Live të BBC Two: “Është e vështirë të shihet se për kë po fliste, nëse nuk po fliste për Britaninë dhe Francën”.
Ai i bëri thirrje zëvendëspresidentit që të sqarojë se cilat shtete e kishte fjalën dhe të kërkonte falje, duke shtuar se Vance kishte shkaktuar “ofendim të vërtetë”.
Downing Street refuzoi të diskutohej nëse kryeministri i gjeti komentet fyese ose mosrespektuese, por tha se ai ishte “plot admirim për të gjitha trupat britanike që kanë shërbyer, për shembull në Irak dhe Afganistan”.
Mbretëria e Bashkuar iu bashkua pushtimit amerikan të Afganistanit në tetor 2001, pas sulmeve të 11 shtatorit, me Francën që gjithashtu dërgoi forca në vend.
Më shumë se 150,000 personel britanik kanë shërbyer në Afganistan gjatë 20 viteve të fundit, me tërheqjen përfundimtare të trupave në vitin 2021.
Mbretëria e Bashkuar ishte gjithashtu pjesë e një pushtimi të udhëhequr nga SHBA në Irak në mars 2003, me forcat britanike në vend që arrinin 46 mijë.
Komentet e Vance erdhën pasi SHBA ndaloi ndihmën ushtarake për Ukrainën, pas një grindje shpërthyese midis Presidentit Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale javën e kaluar.
Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë përpara se të nënshkruhet një marrëveshje e propozuar për ndarjen e mineraleve të Ukrainës me kompanitë amerikane.
Duke folur për propozimin, Vance i tha Fox News: “Garancia më e mirë e sigurisë është t’u japim amerikanëve përfshirje ekonomike në të ardhmen e Ukrainës”.
“Kjo është një garanci më e mirë e sigurisë sesa 20 mijë trupa nga një vend i rastësishëm që nuk ka bërë luftë për 30 apo 40 vjet”.
Sir Keir ka thënë se garancitë e sigurisë së SHBA-ve – si mbulimi ajror – do të nevojiten për të penguar Vladimir Putinin nga pushtimi përsëri i Ukrainës, nëse ka një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Megjithatë, Trump deri më tani ka refuzuar ta ofrojë këtë, në vend të kësaj duke argumentuar se punëtorët amerikanë në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje mineralesh mund të ofrojnë garanci të tilla.