Pas prezantimit te raportit vjetor të punës së Gjykatës Kushtetuese, drejtuesja e këtij institucioni, Holta Zaçaj ka sqaruar aludimet, për një përgjim të mundshëm të gjyqtarëve, nga ana e SPAK.
“Ne kemi bërë një kërkesë zyrtare për informacion drejtuar kreut të SPAK-ut, z. Altin Dumani, për të mësuar nëse ka ndonjë procedim penal që përfshin gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Pasi u informua në lidhje me këto lajme, trupa vendosi që t`i drejtohej zotit Altin Dumani me kërkesë për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari, për sa kohë që veprimet e pretenduara i referohen një vendimmarrjeje konkrete të Gjykatës ku vetë SPAK është palë. Shkresa është dërguar zyrtarisht ditën e mërkurë, datë 19 shkurt. Ende nuk kemi një përgjigje zyrtare nga ai institucion
Zacaj theksoi se ky hap është ndërmarrë për të qartësuar çdo dyshim dhe për të garantuar transparencë, duke siguruar se nëse ka ndonjë procedim, institucionet duhet të veprojnë brenda kuadrit ligjor.
“Ndërkohë që si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese informova zotin Dumani se nuk jam vënë në dijeni nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje apo ushtrim të ndonjë forme ndikimi të papërshtatshme nga avokatë, funksionarë politikë, publikë ose subjekte të tjera, bazuar në nenin 10, pika 3, të ligjit organik. Gjykata mbështet çdo veprimtari të organeve ligjzbatuese në ushtrim të juridiksionit të tyre, gjithmonë në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji”.
E pyetur nga gazetarët për mandatin e saj, Zaçaj komentoi edhe vendimin për të pyetur Venecian mbi këtë çështje.
Holta Zaçaj u emërua anëtare e Gjykatës Kushtetuese në janar 2023 dhe u zgjodh kryetare e këtij institucioni në shkurt të po atij viti. Megjithatë, ka pasur debate lidhur me datën e përfundimit të mandatit të saj. Sipas disa burimeve, mandati i saj përfundon më 10 mars 2025, duke pasuar mandatin e ish-gjyqtares Vitore Tusha. Nga ana tjetër, Zaçaj ka deklaruar se mandati i saj përfundon në fund të vitit 2025. Për të sqaruar këtë çështje, ajo ka kërkuar një interpretim nga Komisioni.