Mijëra persona u mblodhën në Bratisllavë dhe qytete të tjera të Sllovakisë dhe bënë thirrje që kryeministri Robert Fico, të japë dorëheqje. Protestuesit u zotuan se do të vazhdojnë demonstratat kundër politikës së jashtme të kryeministrit, që kritikët thonë se po e afron shtetin me Rusinë. Protesta në Sllovaki janë mbajtur çdo dy javë që nga fillimi i janarit, pasi në dhjetor Fico u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë.
Vizita e Ficos në Moskë ishte një vizitë e rrallë e zhvilluar nga një anëtar i Bashkimit Evropian, që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës tre vjet më parë.
“Sllovakia është Evropë”, brohoritën protestuesit në kryeqytetin sllovak, duke kërkuar dorëheqjen e Ficos.
Ueb-faqja Dennik N, duke cituar ekspertë të sigurisë, tha se deri në 12.000 njerëz protestuan në kryeqytet, që është numër më i vogël sesa më shumë se 40.000 që kishin protestuar dy javë më parë.
Më 21 shkurt, protesta u mbajtën edhe në 40 qytete të tjera të Sllovakisë.
Protestat e së premtes po ashtu shënuan 7-vjetorin e vrasjes së gazetarit hulumtues Jan Kuciak. Vrasja e tij kishte nxitur protesta masive, që u mbajtën për javë të tëra kundër korrupsionit të perceptuar që çoi në dorëheqjen e Ficos që atëbotë ishte kryeministër.
Fico u kthye në pushtet pasi fitoi zgjedhjet e vitit 2023 dhe Qeveria e tij e majtë nacionaliste ka nxitur shqetësim në mesin e opozitës progresive dhe të tjerëve, për shkak të disa vendimeve të marra, sikurse është ndryshimi i Kodit Penal dhe ndryshimet e bëra në transmetuesin publik.
Fico ka ndërprerë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka mosmarrëveshje me Kievin pasi Ukraina ndërpreu gjatë këtij viti transitin e gazit rus.Fico shpesh këmben akuza me opozitën properëndimore, me organizatat joqeveritare dhe me mediat, duke i akuzuar ata se po punojnë kundër Sllovakisë.
Fico, i cili po shërben në mandatin e katërt si kryeministër, është zotuar se nuk do të japë dorëheqje.