Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ritheksuar dëshirën e tij për të bashkuar Kanadanë me Shtetet e Bashkuara si shteti i 51-të i Amerikës, duke shtuar se Ottava mund të ruajë himnin e saj kombëtar.
“Mendoj se Kanadaja, e dini, duhet të paguajë tarifa për automobila, dru, naftë dhe gaz, etj., sepse merr 95 përqind të produkteve të saj nga Shtetet e Bashkuara”, tha Trump gjatë një darke me Asocacionin e Guvernatorëve Republikanë në Uashington. “Mendoj se duhet të bëhen shteti i 51-të amerikan”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Trump tha se beson se do të vija dita, që kanadezët do ta duartrokasin himnin e Amerikës.
“Ne duhet të arrijmë një marrëveshje, sepse në fund të fundit më pëlqen ‘O Canada’,” tha Trump, duke iu referuar himnit kombëtar kanadez. “Është një gjë shumë e bukur. Mendoj se duhet ta kemi Kanadanë shtetin e 51-të”, shtoi ai.
Duke e quajtur kryeministrin kanadez Justin Trudeau një “guvernator”, Trump e përshkroi atë si dikë që po bën një “punë të mrekullueshme”. Ai tha gjithashtu se kjo mund të ketë ndikim në rizgjedhjen e tij.
Po ashtu, ai shtoi se administrata e tij po shikon të marrë Groenlandën dhe ta rikthejë Kanalin e Panamasë.