Negociatat për paqen në Ukrainë, Macron dhe Starmer ftohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime

0
14

Pas organizimit të dy takimeve urgjente këtë javë në Paris me vendet e BE-së dhe vendet anëtare të NATO-s për të krijuar një përgjigje të bashkuar ndaj afrimit midis Moskës dhe SHBA-së, duket se Evropa më në fund po zë një vend në tryezën e bisedimeve.

Vetëm pas takimit të dytë urgjent, të mbajtur në Paris mes 19 krerë shtetesh të mërkurën në mbrëmje, këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, Mike Waltz njoftoi se Macron dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer janë të ftuar në Shtëpinë e Bardhë në fillim të javës së ardhshme për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë.

Pasi zyrtarët rusë dhe amerikanë u takuan në Arabinë Saudite këtë javë, një nga shqetësimet kryesore ishte se Trump mund të arrijë një marrëveshje me Moskën që do të funksiononte kundër interesave të sigurisë si të Ukrainës ashtu edhe të BE-së.

Tensionet janë përshkallëzuar mes SHBA-së dhe Ukrainës që nga shpallja e atij takimi, i cili përjashtoi Kievin.

Të mërkurën, Trump e quajti presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy një “diktator”, duke shtuar se lideri ukrainas “më mirë të lëvizë shpejt ose nuk do t’i mbetet një vend”.

Por përveç një konsensusi për Rusinë që paraqet një kërcënim të rrezikshëm të sigurisë për Evropën, blloku është thellësisht i ndarë se si të përgjigjet, veçanërisht kur bëhet fjalë për dërgimin ose jo të trupave paqeruajtëse në Ukrainë.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer ka përsëritur se ai do të konsideronte vendosjen e trupave në Ukrainë.

Por kancelari gjerman Olaf Scholz pohoi të hënën pas samitit të parë të Parisit se çështja e trupave të huaja ishte “shumë e papërshtatshme” përpara se të vendosej një plan paqeje.

Për të mbajtur presionin mbi Kremlinin, ambasadorët e bllokut 27 miratuan të mërkurën paketën e 16-të të sanksioneve kundër Rusisë.

Macron gjithashtu postoi në llogarinë e tij X se vendimet në lidhje me sigurinë evropiane do të merren në ditët dhe javët në vijim, duke shkruar se blloku është “i bindur për nevojën për të rritur shpenzimet dhe aftësitë e mbrojtjes dhe sigurisë së Evropës”.

Trump u takua me Macron në Paris në fillim të dhjetorit, para inaugurimit të Presidentit të SHBA, gjatë një takimi trepalësh në Pallatin Elysee me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here