Lojtarët shqiptarë po përpiqen të rrisin nivelin e performancës së tyre në Europë. Një pjesë kanë bërë paraqitje të mira, sikurse është rasti i Ardon Jasharit me Klub Bruzhin belg, që spikati të mërkurën në Champions, kurse Berat Gjimshiti ka dhënë qëndrimin e tij pas eliminimit të Atalantës.
Jashari më i miri i Klub Bruzhit në Champions
Ardon Jashari që u shpall më i miri i ndeshjes mes Atalantës dhe Klub Bruzh. Kampioni belg fitoi 3:1 të martën mbrëma në Bergamo të Italisë dhe me rezultatin 5:2 e eliminoi Atalantën në plejofin e fazës nokaut të Ligës së Kampionëve. Ishin ekspertët e UEFA-s që e shpallën mesfushorin 22-vjeçar më të mirin e ndeshjes. “Ishte motori i skuadrës”, vlerësuan ekspertët e UEFA-s. “Ishte në çdo vend në aspektin difensiv dhe ofroi vrapime vendimtare në sulm. Ishte shumë i përfshirë në dy prej golave të Bruzhit”.
Ardon Jashari vetëm në verën e kaluar u largua nga Luzerni zviceran për t’u transferuar te Klub Bruzhe. Pati vështirësi në fillim, por shpejt gjeti formën dhe u bë i pazëvendësueshëm te klubi belg. Javë më parë firmosi kontratë të re, por gjasat që të mbetet në Belgjikë për edicionin e ardhshëm po zvogëlohen shumë. Top-skuadra evropiane lakmojnë tashmë shërbimet e mesfushorit shqiptar. Një transferim i ri në afatin kalimtar të verës është shumë i mundshëm. Italia është destinacion i mundshëm për Jasharin. Top-skuadra të këtij vendi tashmë po e përcjellin. Pas paraqitjes brilante ndaj Atalantas, numri i skuadrave të interesuara vetëm do të rritet. Jashari ka thënë se është i lumtur për trofeun e lojtarit më të mirë të ndeshjes. Por u tregua modest. “Në fakt këtë trofe mund t’ua kishin dhënë shumë lojtarëve të skuadrës sonë.
Jemi paraqitur shumë mirë së bashku. Vërtet nuk ishte e lehtë, ishim nën presion. Është vërtet ëndërr e bërë realitet mua që ta fitoj këtë, por është trofe për gjithë ekipin. Nuk brengosem se kundër kujt luajmë në raundin tjetër, nuk kam menduar ende për këtë. Nëse vazhdojmë të luajmë në këtë nivel të lartë, atëherë çdo gjë është e mundur”, tha Jashari për sajtin zyrtar të Klub Bruzh. Në Zvicër paraqitja e Jasharit është përcjellë me vëmendje. Ai vlerësohet e ardhmja e përfaqësueses së këtij vendi.
Gjimshiti i zhgënjyer nga eliminimi i Atalantës në Champions League
Mbrojtësi kuqezi, Berat Gjimshiti, pa se si ëndrrat e Atalantës për një edicion si protagoniste në Ligën e Kampioneve të shuhen me një humbje 3-1 në shtëpi përballë Klub Bruzhe. Një humbje e papritur që ka lënë një zhgënjim të madh, siç e pranoi pas ndeshjes mbrojtësi shqiptar. “Është e vështirë të gjesh fjalët, komplimente atyre. Në pjesën e parë kanë bërë tre gola në kundërsulm. Duke shënuar menjëherë komplikuan ndeshjen tonë. Gjëja më e rëndësishme ishte shpirti.
Nuk u dorëzuam, tani duhet të rinisemi dhe mendojmë për kampionatin. Ata kanë një skuadër të mirë, luajnë mirë futboll. Na vendosën më shumë në vështirësi në ndeshjen e parë se sa në të dytën, ku ishin vdekjeprurës. Në një ndeshje kaq të rëndësishme nuk mund të shkosh në disavantazh 0-3 në fund të pjesës së parë. Tani duhet të karikojmë bateritë, të mësojmë nga gabimet dhe të rinisemi”, tha mbrojtësi shqiptar për ”Sky Sport” pas ndeshjes.