Kuqezinjtë në formë, spikat Manaj, por mungesa e ftesës nga Silvinjo po largon Kurtulan

0
17

Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, vijon turin e vëzhgimeve të elementëve të përfaqësueses, ku tani ka një panoramë më të qartë për grumbullimin e kuqezinjve që do të bëjë në mars, në kuadër të takimeve të para për eliminatoret e Kampionatit Botëror të vitit 2026, aktivitet që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë e Kanada. Duhet thënë se në mars ndeshja më e vështirë është ajo ndaj Anglisë, e cila do të luhet në stadiumin “Uembli” në Londër, e ku të dy palët synojnë të marrin rezultat pozitiv. Ndërkohë, një nga elementët që erdhi me bujë në radhët e kuqezinjve të rinj (ekipi Shpresa i trajnerit Alban Bushi), turku me origjinë shqiptare Arda Kurtulan, duket se ka vendosur marrëdhënie me Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, kombëtarja U-21 në mars do të bëjë një ndeshje miqësore me Luksermburgun, ndërsa disa titullarë të Kombëtares që luajnë në Turqi kanë paraqitje shumë të mira, e ku spikat Rei Manaj te Sivaspori.

Kurtulan po ikën, e pret Maqedonia e Veriut

Sipas mediave turke, Arda Kurtulan është ftuar nga Maqedonia e Veriut, për të qenë pjesë e kualifikueseve të Botërorit. Kjo është prapaskena e zbuluar në Turqi për lojtarin e talentuar, që deri në vitin e kaluar dha kontributin e tij te Shqipëria U-21. Kurtulan është pjesë e Adana Demirspor në Turqi. Gjatë këtij sezoni ka asituar katër gola në Superligë, ndërsa ka shënuar një tjetër në Kupë. Forma e lojtarit që aktualisht po aktivizohet si mbrojtës i djathtë, ka tërhequr vëmendjen e përfaqësueses maqedonase që njeh kualitetin e 22-vjeçarit nga moshat. Ftesa nga Silvinjo ndërkohë nuk ka ardhur deri tani, kështu që gjithçka mbetet e hapur.

Paraqitja e kuqezinjve

Një tjetër fundjavë pozitive ishte ajo që lamë pas për legjionarët shqiptarë që luajnë jashtë kufijve, kryesisht në kampionatet cilësore të vendeve europiane. Portali i njohur i statistikave, “Sofascore” sjell pesë legjionarët me vlerësimet më të larta. Vendin e parë e mban sulmuesi i Kombëtares, Rei Manaj, i cili realizoi gol me penallti për Sivaspor në transfertën e Gaziantep. Silvio Merkaj pozicionohet në vendin e dytë pasi shënoi për Sudtirol kundër Sampdorias. Ndërsa në vendin e tretë renditet Frederik Veseli pasi bëri një performancë të mirë për 90 minuta në fitoren e Sudtirol. Arlind Ajeti dhe Albion Marku janë vlerësuar me notën 7.4 dhe vendosen në vendin e 4-të dhe 5-të.

Takimi/ Shqipëria U-21 miqësore me Luksemburgun më 25 mars

Shqipëria U-21 do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër Luksemburgut në muajin mars. FSHF bën me dije se ky takim miqësor do të luhet më 25 mars në stadiumin “Stade Georges Ëohlfart” të Luksemburgut në ora 18:30. Një miqësore shumë e vlefshme për përfaqësuesen U-21, që drejtohet nga trajneri shqiptar Alban Bushi. Kjo miqësore do t’i shërbejë teknikut kuqezi dhe stafit të ekipit ‘Shpresa’ të shohin në aksion grupin që kanë në dispozicion, por edhe lojtarë të rinj që vijnë nga ekipet e tjera të moshave e që mund të jenë pjesë e Kombëtares U-21. Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF po punon për të finalizuar edhe një tjetër ndeshje miqësore për ekipin kombëtar U-21 në muajin mars.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here