Ish-kreu i PD-së së Kukësit, Ibsen Elezi, ka kritikuar ashpër procesin e Primareve në Partinë Demokratike, duke i cilësuar si një “sherrnajë brenda strukturave”. Ai theksoi se në këtë proces pranohet hapur edhe vjedhja e votës, dhe nuk ka debat të vërtetë.
Elezi është i mendimit se primaret janë një dështim, pasi në fund do të vendosen ata që do Sali Berisha, ndërsa Gazment Bardhi, si manipulues i këtyre proceseve, do t’i serviloset për të qenë në listë. Ai e krahasoi situatën me një “festival” ku fituesit i zgjedh drejtuesi, duke theksuar se Bardhi është një figurë e diskredituar dhe nuk mund të ketë sukses me primaret në PD.
Sipas Elezit, në PD nuk respektohet vota dhe se e gjithë situata ka degraduar deri në pranim të hapur të vjedhjes. Ai solli edhe shembuj konkretë, si deklaratat e Albana Vokshit dhe Edi Palokës, që kishin pohuar se votat ishin vjedhur. Elezi tha se ky proces është një “sherrnajë” dhe se ata që manipulojnë në këtë mënyrë nuk mund të sjellin progres në PD dhe as në shoqërinë shqiptare.
Në lidhje me partitë e reja, Elezi u shpreh pesimist, duke theksuar se nuk ka një “pol të tretë” të gatshëm për të bashkuar forcat, dhe se ato janë të shantazhueshme dhe të kapura nga interesat e ngushta. Ai e përfundoi duke thënë se, pas përvojës me grupimet e mëparshme, nuk do të bashkohej më me asnjë koalicion ku janë Lulzim Basha, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama, pasi i sheh ata si pjesë të një establishementi të lidhur. Ai gjithashtu shtoi se rritja e votës nga diaspora do të ishte një votë kundër sistemit dhe politikës aktuale.