Teksa negociatat mes SHBA-së dhe Rusisë po hedhin hapat e tyre të parë në Riad , në samitin urgjent të Parisit, thirrur nga presidenti i Francës Emanuel Macron, liderët kryesorë evropianë kanë kërkuar bashkëpunim me SHBA për realizimin e marrëveshjes së paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.
Pas përfundimit të samitit, në një deklaratë para gazetarëve, kancelari gjerman Olaf Scholz, ka theksuar se mbështetja për Ukrainën duhet të vazhdojë, duke shtuar se Ukrainës nuk mund t’i imponohet asnjë diktat, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Ai thotë se nëse shtetet evropiane shpenzojnë më shumë se 2% të PBB-së për mbrojtjen, Gjermania konsideron se kjo nuk duhet të jetë pjesë e kufijve të buxhetit të BE-së.
Scholz u shpreh ndër të tjera se Gjermania do të vazhdojë të investojë në shpenzimet ushtarake, dhe se duhet të jetë më fleksibël me rregullat e saj buxhetore.
Sholz hpreson se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara do të punojnë së bashku dhe e konsideron të papërshtatshme diskutimin e dërgimit të trupave tani.
“Nuk duhet të ketë ndasi për sigurinë dhe përgjegjësinë në mes të Evropës dhe SHBA-së”, ka thënë Scholz për gazetarët, pas mbajtjes së një samiti urgjent evropian në Paris.
“Me fjalë tjera, NATO-ja funksionon mbi faktin se ne veprojmë gjithmonë së bashku dhe ndajmë rrezikun, dhe kështu edhe garantojmë siguri. Kjo nuk duhet të vihet në pikëpyetje”, ka thënë mes tjerash Scholz.