Në shkresën drejtuar sot Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar të zbardhet arsyeja se përse nuk janë marrë masa gjatë grumbullimit të mbështetësve të kryebashkiakut Erion Veliaj dy ditë më parë, para ambienteve të GJKKO.
Sipas GJKKO-së, punonjësit e Gardës së Republikës kanë kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin jashtë të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK duke vendosur kordonin e sigurisë me punonjës policie me uniformë, sikurse është vepruar në raste të tjera të ngjashme në protestat e datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025.
Këto dy data korrespondojnë me protestën e thirrur nga Partia e Lirisë më 6 dhjetor të vitit të kaluar dhe atë të thirrur nga Partia Demokratike në 6 janar të këtij viti.
Gjatë këtyre tubimeve nuk ka munguar kordoni i sigurisë, sikurse GJKKO ka kërkuar të ishte vepruar në rastin e para dy ditëve.
Më tej, gjykata thekson se nëpërmjet mosveprimeve të saj, Policia e Shtetit ka kontribuar në pengimin e Gjykatës së Posaçme në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe ligjore për të gjykuar në një ambient të sigurt dhe të qetë si dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e gjyqtareve dhe personelit administrativ.