Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga SPAK që të vërtetojë akuzat ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, një prej të cilave blerjet online mbi 800 mijë euro për veshje e bizhuteri.
Kryeministri Rama tha se sot ‘jemi në kushtet kur gjithçka rrezikon të degradojë në një drejtësi aktiviste. Dhe në këtë hapësirë janë ata që bërtasin “gijotinë për të gjithë” “Hosana” se nuk ka rëndësi a ka prova a s’ka prova, a është e vërtetë a s’është e vërtetë.
Rëndësi ka që çdokush që merret me politikë, çdokush që ekspozon fytyrën e vet, çdokush që i vihet në dispozicion kësaj pune është një kriminel, një hajdut që duhet varur në litar dhe nga ana tjetër janë armiqtë e reformës në drejtësi që çdo ditë, çdo natë sulmojnë prokurorët e SPAK dhe gjykatësit e Gjykatës Speciale. Këto janë dy ekstreme.
“Ne nuk mund të jemi as tek njeri as tek tjetri ekstrem dhe ne nuk mund ta lëmë më këtë boshllëk, por duhet të kërkojmë përgjegjshmëri. Jo duke thënë ne se kush është fajtori dhe kush është i pafajshëm, por duke kërkuar përgjegjshmëri.
Nëse Erion Veliaj dhe e shoqja kanë blerë 800 e kusur mijë euro fustan dhe bizhuteri, ne nuk kemi çfarë diskutojmë fare, por ama ne kemi te drejtën të kërkojmë prova, prova dhe ne kemi të drejtën të themi që në ndërkohë hedhja e kësaj shifre në mexhelis është absolutisht e qëllimshme për të ekzaltuar masën që kërkon gjah dhe nga ana tjetër për të krijuar një situatë ku të jetë e pamundur që të diskutosh, gjithsesi për të gjitha këto ne do ta ndjekim me shumë kujdes këtë proces”, tha Rama.