Ja si Gazment Bardhi mashtroi me foton me zv/sekretarin e DASH

0
2

Një skandal politik duket se ka shpërthyer në radhët e opozitës, pasi Gazment Bardhi tentoi të manipulonte publikun me një fotografi “të pastruar” nga çdo element i sikletshëm për të. Kreu i grupit parlamentar të PD-së publikoi në Instagram një foto ku shfaqej i vetëm me zv/ndihmës sekretarin Amerikan të Shtetit, Aleksandër Kasanof, duke e prezantuar si një takim të rëndësishëm dypalësh gjatë një vizite në Uashington. Por e vërteta doli ndryshe. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri shpërndau versionin e pandryshuar të fotografisë, ku zbulohet se Bardhi nuk ishte i vetmi politikan në takim. Në të vërtetë, në krah të tij ndodheshin dy deputetë të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe Blerina Gjylameti, si dhe ambasadori shqiptar në SHBA, Ervin Bushati.

Kjo fotografi e paprekur tregoi qartë se Bardhi nuk kishte asnjë takim ekskluziv me Kasanofin, por ishte pjesë e një delegacioni të përzier politik. Manipulimi (retushimi) i fotos nga Bardhi është një shembull i pastër i mënyrës sesi politikanët shqiptarë përpiqen të krijojnë iluzione optike për fuqinë e tyre politike. Përpjekja për të fshehur praninë e socialistëve në takim tregon një frikë të qartë: pranimi i faktit që ai nuk ka asnjë mbështetje të veçantë nga Uashingtoni dhe se, në realitet, është një figurë e mbështetur më shumë nga socialistët sesa nga demokratët. Por historia nuk mbaron këtu. Ajo që bie më shumë në sy është se socialistët duket se po e mbajnë Bardhin shumë afër, duke e përfshirë në delegacione të rëndësishme jashtë vendit. Kjo sjellje ngre dyshime se PS po e projekton Bardhin si “shefin e opozitës” dhe një figurë të pranueshme për ta, duke minuar çdo përpjekje për një opozitë të fortë dhe të pavarur.

Megjithatë marrëdhëniet e ngushta të Bardhit me socialistët nuk janë rastësi. Ai ka lidhje të forta me një zyrtar të lartë të PS-së, aktualisht ambasador, me të cilin madje ka pasur edhe një proces gjyqësor absurd për një qen. Ky detaj i pazakontë tregon se lidhjet mes Bardhit dhe socialistëve shkojnë përtej lojës së zakonshme politike dhe janë të mbështetura edhe në marrëdhënie personale. Në fund të ditës, kjo histori nuk është vetëm për një foto të retushuar. Ajo tregon një prirje të politikanëve shqiptarë për të krijuar realitete alternative, për të fshehur aleancat e vërteta dhe për të mashtruar publikun. Rasti i Gazment Bardhit shërben si një paralajmërim për votuesit, se, jo gjithçka që shfaqet në rrjetet sociale është ashtu siç duket.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here