Agron Shehaj ka publikuar një skandal të rëndë, në të cilin është përfshirë Adriatik Lapaj.
Shehaj e akuzoi fillimisht Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga një kompani e sekuestruar nga SPAK-u për pastrim parash të grupit kriminal “Çopja”.
Pasi Lapaj mohoi akuzat e Shehajt, duke thënë se paratë nuk i kishte marrë dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë, Shehaj ka zbuluar detajet e rënda nga rasti në fjalë.
Sipas tij, Lapaj ka marrë përsipër regjistrimin e një prone miliona euroshe që kompania e Çopjave kishte blerë në bregdet, duke i nxjerrë çertifikatën e pronësisë. Vendimi për pronën, sipas Shehajt, është dhënë nga vetë vjehrri i Adriatik Lapajt, Alltun Çela, në kohën kur ai ishte kryetar i Gjykatës së Sarandës.
Alltun Çela është shkarkuar nga vettingu në drejtësi, për mosjustifikim të pasurisë.
“Përgjigje për Adriatik Lapajn: Jo vetëm ka marrë para të pista, por arsyeja pse i ka marrë është dhe më e rëndë.
Këto janë dokumentet që tregojnë çfarë shërbimi i ka dhënë Lapaj kompanisë në hetim për pastrim parash nga SPAK.
E para është kontrata e shit-blerjes së një prone prej miliona euro në bregdet, midis kompanisë së akuzuar nga SPAK, pronarëve dhe Adriatik Lapajt. Lapaj merr përsipër regjistrimin e vendimit gjyqësor dhe nxjerrjen e certifikatës së pronësisë.
E dyta është një screenshot nga faqja e gjykatës që tregon se me këtë çështje është marrë vjehrri i Adriatikut, që në atë kohë ishte kryetar i Gjykatës.
Ky është një teatër i madh! Është një mashtrim i madh që ka një regjizor, që është Edi Rama.
Ky sistem i korruptuar dhe i kalbur e ka ngritur Adriatik Lapajn në piedestal. I ka hapur dyert e mediave, e ka financuar dhe e ka mbrojtur.
Duan të çojnë në Parlament njerëz të kapur dhe të kapshëm. Të kompromentuar.
Nuk duhet të dorëzohemi! Shqipëria ka nevojë për një opozitë të vërtetë dhe të pa shantazhueshme”, shkruan Shehaj, ndërsa ka publikuar dokumentet.
Adriatik Lapaj i është përgjigjur ndërkohë, në postimin që ka bërë Shehaj në FB.
“Po të përdorin o mavri! Çështja që ke referuar që ka gjykuar vjehrri im në atë kohë nuk lidhet me pronën në fjalë. Numrat e vendimit janë të njëjtë, po datat e ndryshme.
Pse o njeri i Zotit e shkele ligjin?
Shihemi në gjykatë”, i shkruan Lapaj.
Shehaj i është përgjigjur më poshtë:
“Adriatik, 20 hektarë tokë me 45 euro m2 në vendin më të bukur të bregdetit shqiptar. Lëri lojrat, të gënjen mendja, nuk je avokat i zoti, thjesht ke patur vjehrrin kryetar Gjykate. Ju keni marrë shpirtin njerëzve, e keni përdorur gjykatën si pronë private. Të fala Ramës”, shkruan Shehaj.
![](https://media.gazetatema.net/gazetatema.net/media3/-0-500-1738779545xdok-856.jpg)