Qeveria zgjat vlefshmërinë e pasaportave dhe letërnjoftimeve

0
8

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, qeveria ka miratuar dy akte normative që zgjasin afatin e vlefshmërisë së pasaportave dhe letërnjoftimeve elektronike për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Sipas vendimit, pasaportat dhe letërnjoftimet që skadonin deri më 11 maj 2025, do të jenë të vlefshme deri më 31 maj 2025, por vetëm për qëllime votimi në zgjedhjet parlamentare. Këto masa synojnë të lehtësojnë pjesëmarrjen e diasporës në procesin zgjedhor dhe të shmangin pengesat burokratike.

Vendimi është marrë me propozimin e Ministrisë së Brendshme dhe ka hyrë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi i plotë:

AKT NORMATIV
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8668, DATË 23.10.2000, “PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË PËR JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Pas nenit 14/3, të ligjit nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, shtohet neni 14/4, me këtë përmbajtje:
“Neni 14/4
Dispozitë kalimtare
Afati i vlefshmërisë së pasaportave të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 11 maj 2025, zgjatet deri në datën 31 maj 2025 për shtetasit me vendbanim jashtë vendit, votues në zgjedhjet për Kuvendin, të shpallura me dekretin nr.399, datë 5.12.2024, të Presidentit të Republikës.
Kjo zgjatje e afatit të vlefshmërisë së pasaportave ka efekt vetëm për ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur në datën 11 maj 2025.”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
AKT NORMATIV
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Pas nenit 9/4, të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, shtohet neni 9/5, me këtë përmbajtje:
“Neni 9/5
Dispozitë kalimtare
Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik, që përfundon deri në datën 11 maj 2025, zgjatet deri në datën 31 maj 2025 për shtetasit me vendbanim jashtë vendit, votues në zgjedhjet për Kuvendin, të shpallura me dekretin nr.399, datë 5.12.2024, të Presidentit Republikës.
Kjo zgjatje e afatit të vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik ka efekt vetëm për ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur në datën 11 maj 2025.”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here