Kreu i Partisë Mundësia, deputeti Agron Shehaj, ka bërë një akuzë të fortë ndaj kryetarit të “Shqipëria Bëhet”, Adritatik Lapaj.
Ai ka publikuar një dokument ku pretendon se Lapaj ka marrë 45 milionë lekë nga një kompani të sekuestruar nga SPAK. Bëhet fjalë për kompaninë “Merkaj 3 shpk”, e cila u sekuestrua pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të “Çopjave”.
Shehaj thotë se arsyeja që i ka marrë, është më e rëndë se fakti që i ka marrë, teksa shton se Adriatik Lapaj është i mbështetur nga pjesa më e errët dhe më e zymtë e këtij sistemi të kalbur.
Deklarata e Agron Shehaj:
Fredinandi më shkruajti sot në mëngjes dhe më tha:
“Jo të gjitha paratë që përdor Adriatiku janë para të pista, sepse disa nga ato para i kam dhënë edhe unë.” Edhe unë, thotë Fredinandi, kam dhënë një kontribut.
Ky është një dokument i vitit 2024. E gjeni në QKB. Është bilanci i një kompanie të sekuestruar nga SPAK-u për pastrim parash, që tregon se Adriatiku ka marrë 45 milion lekë. Pyete, meqë ke kontakte me të, pse i ka marrë këto para, sepse arsyeja pse i ka marrë është më e rëndë se fakti që i ka marrë.
Mua më vjen keq, sepse shumë prej atyre që mund të kenë besuar tek Adriatiku, por edhe ata që duan të vazhdojnë të besojnë, do të zhgënjehen. Por këto janë faktet. Shkoni dhe shikoni vetë. Është dokument publik.
E vërteta është që ky është një sistem i kalbur dhe Adriatiku është i mbështetur nga i gjithë sistemi. Jo vetëm kaq, por është i mbështetur edhe nga pjesa më e errët dhe më e zymtë e këtij sistemi. Prandaj duhet të jemi të vëmendshëm dhe të shikojmë në thellësi, sepse na kanë gënjyer dhe do të vazhdojnë të na gënjejnë.