Lehtësohet lëvizja drejt Malit të Zi me sigurimin “Karton Jeshil” 1-vjeçar me çmim të reduktuar

0
9

Duke filluar nga data 1 shkurt 2025, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin drejt Malit të Zi me policën e sigurimit “kartoni jeshil” për autoveturat me prim të reduktuar 50 euro, me afat 1-vjeçar.

Në përputhje me rekomandimet e Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), për marrjen e masave të ndërmjetme me qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të mjeteve, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ndërmori një proces konsultimi dhe koordinimi me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS) për marrjen e këtij vendimi.

Bazuar në vendimin e BSHS, qytetarët shqiptarë mund të pajisen me policën e sigurimit “karton jeshil” me vlefshmëri 12-mujore nga data e lëshimit, e cila mbulon ekskluzivisht territorin e Malit të Zi.

Polica e sigurimit mund të blihet në pikat e kalimit kufitar të Muriqanit, Hanit të Hotit, Grabomit dhe Vermosh.

Kartoni Jeshil është një dokument sigurimi ndërkombëtar, që mbulon përgjegjësitë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit.

Kjo masë lehtësuese pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike ndërkufitare me Malin të Zi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here