Partia Socialiste duket se është futur në një vorbull tensionesh dhe intrigash politike përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, me një vendim që ka trazuar balancat brenda selisë rozë. Erion Braçe, një nga figurat më të zëshme dhe më të përkushtuara ndaj elektoratit të tij në qarkun e Fierit, është “përzënë” në mënyrë të papritur, duke ngjallur reagime dhe pikëpyetje të forta. Drejtuesja politike e PS për Qarkun e Fierit, Belinda Balluku, e konsideruar si një prej figurave më me ndikim brenda Partisë Socialiste, duket se ka luajtur një rol kyç në këtë lëvizje misterioze, e cila sipas Braçes, nuk i është komunikuar kurrë me arsye të qarta. Deputeti i njohur nuk ka lënë gjë pa thënë, duke shprehur haptazi zhgënjimin dhe revoltën e tij. “Nuk jam nga ata deputetë që ndërrojnë zona elektorale për t’i ikur përgjegjësive.
Marrëdhënia ime me njerëzit është e shenjtë, dhe nuk e lë dot në mes të rrugës atë që kam ndërtuar me kaq mund”, tha ai dje. Për Braçen, vendimi për ta larguar nga Fieri është më shumë se një lëvizje politike, madje është një goditje ndaj vlerave që ai përfaqëson dhe një rrezik për balancat elektorale të PS në këtë bastion të rëndësishëm. Ndërkohë në të njëjtën kohë, heshtja e strukturave qendrore të partisë dhe mungesa e një “pse”-je të qartë për largimin e tij e bën këtë vendim akoma më të dyshimtë. A është ky një spastrim i heshtur për të eliminuar figurat që sfidojnë vendimet nga lart?
Apo një lëvizje për të favorizuar interesa të tjera brenda partisë? Braçe e cilëson të papranueshme këtë manovër, duke paralajmëruar se loja me territoret elektorale mund të rrezikojë suksesin e PS në një prej qarqeve më strategjike të vendit. Të vërtetat që fshihen pas kësaj lëvizjeje misterioze po nxisin debate të zjarrta dhe po krijojnë një valë pakënaqësish brenda strukturave socialiste. Më poshtë po pasqyrojmë prononcimin e Z. Braçes për “Top Channel”.
Reagimi i Braçes
Konkretisht deputeti socialist, Erion Braçe komentoi dje lëvizjet paraelektorale në PS për zgjedhjet e 11 majit. Ai tha se nuk ka dashur të lëvizë nga zona e tij elektorale për shkak të marrëdhënieve që ka krijuar me banorët e zonës në qarkun e Fierit. “Braçe nuk ka lënë gjë, në harkun e vetëm një jave nuk ka dashur të lëvizë nga zona e tij elektorale dhe ka një arsye, unë nuk jam nga ata deputetët që ndërron zonë elektorale, as për t’i ikur përgjegjësive të mia, as se nuk kam përmbushur përgjegjësitë e mia, nuk jam nga ata deputetë që ndërroj numër telefoni, kam të njëjtin numër që kam pasur në Berat qëkur kanë vendosur kompanitë, s’e kam ndërruar se kjo është marrëdhënia që kam me njerëzit”, deklaroi ai.
Më tej zoti Braçe u për arsyen pse iku. “Nuk kam një pse, ose kam një pse që natyrisht nuk më shkon që ta marr të mirëqenë. Pse-ja ime është shumë e thjeshtë, unë e kam shumë të vështirë t’i lë njerëzit në mes të rrugës, shumë e thjeshtë, e kam po kaq të vështirë që të fshij atë që është puna ime dhe të fillojmë një gjë nga e para. Është më shumë se sa një karrige. Ka qenë shumë e vështirë për ta pranuar, është e vështirë për të lënë njerëzit”, u përgjigj Braçe.