Elmas Bogdani
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për dosjen e vrasjeve në Tropojë po marrin një kthesë të re dhe të rëndësishme. Dosja komplekse, e cila ka trazuar ndjeshmërinë publike dhe politike, po shqyrtohet me imtësi nga prokurorët, të cilët po rindërtojnë ngjarjet e dhunshme. Një pikë kthese e dukshme e konfliktit, sipas burimeve nga dosja hetimore, ishte mitingu i 22 qershorit 1997.
Ky tubim politik, i organizuar në një kohë kur vendi po kalonte një krizë të thellë, shënoi nisjen e një konflikti të ashpër mes familjes Haklaj dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Prokurorët po shqyrtojnë me kujdes materialet që lidhen me këtë periudhë dhe me zhvillimet pasuese që u karakterizuan nga një zinxhir ngjarjesh tragjik të cilat mbetën pa autor.
Gjithashtu janë futur në “skaner” nga prokurorët emrat e bandës së armatosur që dyshohet se krijoi ish-kryeministri për të zhdukur fisin Haklaj. Prokuroria po bashkëpunon gjithashtu me institucione të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare për të siguruar prova të reja që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjeve. Më poshtë do të lexoni disa nga emrat që janë futur nën lupën e SPAK, personazhe të cilat janë denoncuar dhe kallëzuar që në dhjetor të vitit 2022.
Çfarë përmban kallëzimi penal që bëri të mundur hapjen e hetimeve të SPAK?
Pikënisja e vrasjeve me paramendim për motive hakmarrje, krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale, e kanë zanafillën e vetë pas vrasjes tragjike të Shkëlqim Haklajt me urdhrin e prerë dhe të drejtpërdrejtë të Sali Berishës. Vlen për t’u theksuar që në vrasjen e Shkëlqim Haklaj më 5 janar 1998 dhe në vrasjen e Fatmir Haklaj më 4 nëntor 1999, provohet shkencërisht se; nga autorët e organizatës kriminale është përdorur e njëjta armë zjarri automatik kallashnikov.
Kjo tregon se organizata kriminale ka pasur pjesëmarrje të gjerë dhe ka vepruar në një periudhë disa vjeçare. Në datën 19 qershor 1997, Sali Berisha që ishte ende President i Republikës, i shoqëruar nga eskorta dhe mbështetësit e tij, shkuan në Tropojë për të bërë fushatë elektorale.
Në miting Sali Berisha ka akuzuar ish kandidatin për deputet të PS Din Selimaj si “të shitur të Beogradit”, si të lidhur me UDB-në e Serbisë etj! Viktima e vrarë Shkëlqim Haklaj, shkoi në podium, i shkuli mjetet e fonisë Sali Berishës dhe e akuzoi atë si njeri të mbrapshtë dhe të pandreqshëm, duke i thënë gjithashtu se të qenurit vet agjent i vjetër i UDB-së, kërkon t’ua veshi familjeve atdhetare të Tropojës.
Berisha urdhëroi vrasjen e Shkëlqim Haklajt
Sipas kallëzimit penal, “Sali Berisha pasi pyeti dhe i thanë që personi që bëri këtë veprim ishte një ndër vëllezërit “Haklaj”, djali i Muharrem Haklaj u tha truprojave të tij si dhe mbështetësve të tij Myftar Lumneshi, Përparim Hyka, Haki Hoxha etj, që “E dua të gjallë ose të vdekur Shkëlqim Haklajn në Tiranë”.
Tagrin për të urdhëruar shoqërimin, arrestimin apo transferimin e një personi e kanë vetëm organet e policisë së shtetit dhe të drejtësisë, bazuar në prova dhe fakte, që konfirmojnë kryerjen e një vepre penale. Ndaj, urdhri i Berishës për të ‘marrë me vete’ Shkëlqim Haklajn është urdhër për rrëmbim. Në trazirat e vitit 1997, me shpërbërjen e Komisariatit të Policisë së Tropojës, ‘Komiteti i Shpëtimit’, i përbërë nga forcat politike, aktivizon Fatmir Haklajn për riorganizimin e komisariatit dhe vendosjen e rendit dhe të qetësisë në Tropojë.
Nga fundi i këtij viti Fatmir Haklaj emërohet shef i Komisariatit të Tropojës. Kujtojmë se ishte pikërisht Fatmir Haklaj ai që pengoi dërgimin e forcave të organizuara dhe të armatosura drejt Vlorës për të shtypur revoltat popullore në mars 1997. President i vendit ishte Sali Berisha. Ky fakt njihet botërisht.”
Si e krijoi Berisha bandën e armatosur?
Gjithashtu në dosjen e SPAK që bëri të mundur nisjen e hetimeve thuhet se “në datë 18.09.1997 oficeri i Policisë së Komisariatit të Shkodrës, Haki Hoxha, bashkë me Guxim Biberajn, organizojnë një miting të paligjshëm, të iniciuar nga Partia Demokratike e Sali Berishës. Fatmir Haklaj, duke qenë në detyrën e Shefit të Komisariatit, nuk e lejoi zhvillimin e këtij mitingu. Ai merr pjesë në shpërndarjen e këtij mitingu të paligjshëm duke qëlluar me shuplakë publikisht Haki Hoxhën. Pikërisht është ky një nga drejtuesit e organizatës kriminale.
Pasi u vu në dijeni edhe të kësaj ngjarje, Sali Berisha ka urdhëruar Haki Hoxhën etj të krijonin një bandë të armatosur dhe një organizatë kriminale, pjesëtarë të së cilës ishin Haki Hoxha, Jonuz Hyka, Përparim Hyka, Myftar Lumneshi, Hajredin Haluci, Tahir Sejd Hoxha, Iljaz Adem Hoxha, Ilir Adem Hoxha, Selim Sejd Hoxha, Agim Sejd Hoxha, Çut Sylejman Neza, Sadri Sylejman Neza, Xhafer Baram Hoxha, Medi Baram Hoxha, Hysni Beqir Gosturani, Guxim Qazim Byberi etj, të cilët nën drejtimin e Sali Berishës dhe përmes urdhrave të tij.”
Detajet nga vrasja e Shkëlqim Haklajt dhe kunatit të tij
“Në dt 5 janar 1998, në orën 16 e 15’ vriten në pritë në Qafën e Luzhës me armë zjarri Shkëlqim Haklaj dhe kunati i tij, Artur Demiri. Së bashku me ta në makinë udhëtonte dhe polici Avdi Mehmet Buçpapaj, i cili plagoset lehtë. Edhe ky është qëlluar me armë zjarri nga grupi kriminal që ishte në pritë, të armatosur rëndë me armë automatike. Ish-polici Avdi Buçpapaj ka njohur në pritë të kallëzuarin Haki Adem Hoxha, ish polic në Shkodër në atë kohë, si dhe vëllezërit e tij Ilir Adem Hoxhën, Iljaz Adem Hoxhën, të cilët kishin të njëjtën veshje si Haki Hoxha.
Dëshmitari okular, i cili mbeti vet i plagosur, Avdi Buçpapaj, ka parë si pjesëtar të bandës së armatosur që kishin organizuar pritën dhe vranë Shkëlqim Haklaj dhe Artur Demirin edhe të kallëzuarit Medi Baram Hoxha dhe Xhafer Baram Hoxha. Këta dy të fundit janë djemtë e xhaxhait të Haki Hoxhës. Në pritë ishin afro 20 pjesëtar, të pajisur me automatikë, mitrolozë të lehtë. Avdi Buçpapaj këtë ngjarje e ka bërë me dije në fshatin Vlad, si dhe u ka shpjeguar me hollësi Muharrem Haklajt, Fatmir Haklajt, Hamdi Haklajt, Ajshe Haklajt, Zylfije Haklajt”, thuhet në dosje.
Implikimi i Berishës dhe dëshmitari që do ta fundosë
“Dëshmitar okular në vendngjarje është edhe një fshatar nga fshati Luzhë, të cilin për arsye sigurie emri nuk paraqitet. Nga ky atentat Arturi Demiri ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa Shkëlqim Haklaj ka mbetur i plagosur rëndë dhe kur ka dal nga makina ka qëlluar në drejtim të pritës duke i thirrur Haki Hoxhës ‘’A’ty të pagoi Saliu me n’a vra o Haki’’. Këto fjalë i ka vërtetuar edhe e kunata e Haki Hoxhës, (gruaja e Shaqir Hoxhës), e cila ka pohuar se Shkëlqimi kishte mbetur i gjallë dhe i ka thirrur Haki Hoxhës dhe Avdi Bushpepes.
Haki Hoxha nga dt 05.01.1998 e në vazhdim nuk ka shkuar në punë në Komisariatin e Policisë Shkodër, sikurse edhe vëllai i tij Qamil Adem Hoxha, nuk ka shkuar më në punë në Degën e Sigurimeve Shoqërore “Bajram Curri”, dhe djali i tij është mbyllur gjithashtu në shtëpi, duke e lënë shkollën e mesme. Njerëz të afërm të Familjes “Haklaj” nga fshati Luzhë, kur kanë ardhur në ceremoninë mortore në datën 06.01.1998 në shtëpinë e Muharrem Haklaj, kanë pohuar se rruga që kishin bërë kalonte te shtëpia e Haki Hoxhës dhe kanë parë në oborrin e shtëpisë së tij shumë njerëz të armatosur.
Në datën 05.01.1998 në shtëpinë e Medi Baram Hoxhes është zhvilluar një mbledhje e Lagjes. Megjithëse kjo mbledhje ishte planifikuar të zhvillohej në orën 18.00, për shkak të Medi Hoxhës është zhvilluar kur ka mbërritur aty ky person në orën 22.00. Të pranishmit në këtë mbledhje deklarojnë se Medi Hoxha ka ardhur në mbledhje me rrobat ushtarake lara-lara me të cilat kishte qenë në pritën e ngritur kundër Shkëlqim Haklaj.”
Raporti i SHISH në SPAK
Në vrasjen e Shkëlqim Haklaj dhe Artur Demiri në datën 05.01.1998, të porositur, të frymëzuar dhe të paguar nga Sali Ram Berisha, kanë luajtur rolin e ekzekutorëve me pagesë Haki Hoxha, Iljaz Hoxha, Ilir Hoxha, Xhafer Hoxha, Medi Hoxha etj. Në një raport “sekret” të Shërbimit Informativ Kombëtar të vitit 1999 drejtuar ish Presidentit të Republikës Rexhep Mejdani dhe ish Kryeministrit Pandeli Majko, krahas të tjerave theksohet: “Haki Adem Hoxha është nga fshati Luzhë i rrethit Tropojë.
Në vitin 1983 Haki Hoxha është dënuar me 9 vjet burg për tentativë arratisjeje dhe është liruar para kohe për arsye amnistie. Rreth vitit 1991, me fillimin e proceseve demokratike, Hakiu kalon ilegalisht në Jugosllavi e prej andej në disa shtete të Evropës Perëndimore si Gjermani, Austri etj. Në ngarkim të tij disponohen materiale për vënien në shërbim të zbulimit serb, është marrë me trafiqe të ndryshme dhe si i tillë ka qenë në kërkim nga Interpoli. Në vitin 1995, pasi vjen nga jashtë vendit si i përndjekur politik, titullohet oficer dhe emërohet shef Rendit në Komisariatin e Tropojës.
Roli i Haki Hoxhës
Në fund të vitit 1996 transferohet me detyrë shef Krimesh në Komisariatin e Bulqizës. Pas disa muajsh transferohet në Shkodër, me detyrë oficer i Policisë Kufitare. Pjesëtarët e grupit të Haki Hoxhës janë në moshë të rritur, të arsimuar, kanë lidhje familjare dhe miqësore midis tyre, por shumë prej tyre janë vrarë. Ky grup ka kryer një aktivitet kriminal shumë të kamufluar, duke vepruar me shumë kujdes. Ka në përdorim lloje të ndryshme armësh dhe mjete ndërlidhjeje.
Si pjesëtar të këtij grupi njihen Shaqir Hoxha (i vrarë), vëllai i Hakiut, Bislim Demiri (i vrarë), Avdyl Matoshi (i vrarë), Naim Dizdari (i vrarë), kunati i Hakiut, vëllezërit Sokol e Shkëlzen Kurtbala. Njëri nga lidhjet e këtij grupi është shprehur se është e vështirë të njihen pjesëtarët e këtij grupi, pasi veprimet i kryejnë me shumë kujdes dhe në fshehtësi”, theksohet në informacionin e SHISH-it për grupin e Haki Hoxhës.
Vrasja e Arjan Malajt
Më tej informacioni i SHISH drejtuar krerëve më të lartë të shtetit në vitin 1999 vijon me aktivitetin kriminal të këtij grupi, ku i faturohen vjedhja e 3 milionë lekëve të Komunës Bytyç, që shoqëroheshin nga Haki Hoxha dhe vëllai Shaqir Hoxha, dhe po kaq, në të njëjtën situatë të Komunës së Llugajve, ngjarje të ndodhura në vitin 1995 dhe 1997. “Ky grup, theksohet më tej në informacionin e SHIK, është autor i vrasjes më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës, në një atentat me armë zjarri automatike, të Shkëlqim Haklajt dhe kunatit të Fatmir Haklajt, Artur Demiri.
Ndërsa më 6 mars 1998 u vra po nga grupi i Haki Hoxhës, Arjan Malaj, lidhje e ngushtë e Fatmir Haklajt. Në nëntor të vitit 1998 Haki Hoxha, i maskuar, vret Sali Hoxhën (Kuçanën), kryeplak i fshatit Rragam të Tropojës, vrasje kjo e parë edhe nga Avdyl Koka, që është kërcënuar nga Hakiu se po të fliste do ta eliminonte.
Vrasja e njerëzve të ngushtë të Fatmir Haklajt
Më 5 maj të vitit 1999, në vendin e quajtur Parvove të Pukës, vriten me armë zjarri Ilir Konashevci, nga Podujeva e Kosovës dhe Hazir Malaj, mjek, që të dy lidhje të ngushta të Fatmir Haklajt. Nga shkëmbimi i zjarrit midis dy palëve mbeti i vrarë Agim Demiri, lidhje e Haki Hoxhës. Agim Demiri bashkë me vëllain, Bislim Demiri, shofer në Komisariatin e Policisë Tropojë, i kanë mbajtur në vëzhgim viktimat Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj për rreth 10 ditë në Tiranë dhe kur ata janë nisur për në Tropojë i kanë ndjekur me makinën e tyre derisa kanë kaluar në Fushë-Arrëz dhe më pas u kanë zënë pritë dhe i kanë vrarë”, shkruhet në raport.
Sipas informacionit, pjesëtarët e këtij grupi janë autorët e disa pritave me mina ndaj Fatmir Haklajt e grupit të tij…” Vrasja e Shkëlqim Haklaj u bë në orën 16. 15’ të datës 5 janar 1998. Në orën 16. 35’ në Selinë e PD-së në Tiranë u bë i ditur ky njoftim. Ende nuk ishte vënë në dijeni për këtë vrasje as Komisariati i Policisë Tropojë, as Ministria e Brendshme, sepse ende rrjeti i komunikimit të kohës ishte shumë problematike, për mungesë të telefonisë. Ndërsa Sali Berisha, urdhëruesi i kësaj vrasje dhe krijuesi dhe drejtuesi i “Bandës së Armatosur”, u vu në dijeni menjëherë, në sajë të telefonit satelitor që i kishte vënë në dispozicion njëri prej anëtarëve të Bandës së Armatosur, njeriu i afërt dhe shumë i besuar i tij.
Mina me telekomandë për Fatmir Haklajn
Në datën 06.05.1999, në vendin e quajtur “Varret e Shalës”, rreth 100 metër pranë një muri mbajtës të rrugës, janë vendosur dy mina me telekomandë nga e njëjta “Bandë e Armatosur” që krijoi, frymëzoi dhe hodhi në veprim Sali Berisha kundër Familjes Haklaj. Këto dy mina u vendosën pikërisht këtu për të vrarë Fatmir Haklaj, i cili ishte i detyruar të kalonte pikërisht në këtë rrugë për të shkuar në punë. Fatmir Haklaj ishte së bashku me Shpëtim Gjyriçin, Sami Kërnajën, Eduard Osman Haklaj.
Ishin duke udhëtuar me një Land Rover, me shofer Shpëtim Gjyriçin. Në vendin e quajtur “Sopot”, në Babinë, kanë marrë në makinë edhe një person tjetër. Makina Land Rover ishte në pronësi të Bashkim Gjyriçit. Këtë makinë Bashkim Gjyriçi e kishte blerë nga Hysni Ismailukaj , i cili është i jahti i Arlind Ismailukaj, ish shefit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë. Shpëtim Gjyriqi e kishte marrë këtë makinë një natë më parë. Në momentin që makina me personat e latrtpërmendur brenda saj mbërriti në vendin ku ishin vendosur minat, ato u aktivizuan nga “Banda Kriminale” dhe mbeti i vrarë kushëriri i Fatmir Haklaj, i quajturi Eduard Osman Haklaj. Fatmir Haklaj, Sami Kërrnaja dhe Shpëtim Gjyriqi mbetën të plagosur.