Si u mbajt peng përtej afateve ligjore organizimi i zgjedhjeve në Akademinë e Sigurisë dhe një histori për “Osman Gazepin”

0
78

Osman Gazepi po të ishte gjallë do ta kishte zili shkathtësinë e Rektorit të Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro se si ai fap e fup i vendos gradat sipas qejfit në supet e tij. Për ata që nuk e njohin Osman Gazepin, sqarojmë se ky ka qenë një nga ajdutantët e Mbretit Zog për të cilin thuhet se i mbante gradat në xhep dhe i vendoste sipas rastit dhe qejfit. Mbreti e shikonte dhe e përgëzonte Osmanin për shkathtësinë duke e konsideruar këtë si një aftësi të jashtëzakonshme të tij. Por si ka mundësi që në një shtet ku funksionon ligji dhe që mbajtja e gradave sipas qejfit përben një shkelje të rëndë Rektorit Mandro prapë nuk i hyn gjemb në këmbë.

Por ta lemë historinë e Osman Gazepit dhe të kthehemi te ky i joni në ditët e një shteti modern. Mbas largimit nga detyra të Bilbil Memës emërohet drejtor Ilirjan Mandro dhe për shkak të këtij pozicioni i jepet gjithashtu dhe grada drejtues i lartë. Me qëllim implementimin e ligjit të arsimit të lartë, i cili përcakton se ministri komandon në detyrë një rektor cili ka për detyrim që brenda 6 muajsh të organizojë zgjedhjet, Ilirjan Mandro është liruar nga detyra e Drejtorit të Akademisë, shoqëruar kjo dhe me heqjen e gradës që i takonte këtij pozicioni si drejtues i lartë. Ilirjan Mandro komandohet Rektor por me gradën fillestare të tij si drejtues i parë. Por çfarë do të nakatoste “profesori” i cili megjithëse ishte drejtues i parë mbante ende në xhep gradën drejtues e drejtuesit të lartë? Si I iku nga dora grada drejtues I lartë një ëndërr që e shihte prej vitesh e cila e torturonte dhe po vazhdonte ta torturonte, megjithëse nuk e kishte dorëzuar dhe e mbante në xhep.

E merrte dhe e vendoste herë pas here dhe shikonte sa I hijshëm dukeshe në pasqyrën e banjos së zyrës së tij. Nuk i kujtohej nëse e kishte lexuar diku në studimet e tij apo ja kishte thënë ndonjë mik historian se ekzistonte një personalitet që I vendoste gradat sipas rastit. Pra precedenti ekzistonte pse të mos merreshe si shembull dhe kështu e nxori nga xhepi dhe e vendosi në sup këtë herë jashtë ambienteve të banjës së tij në Akademi. Mandro komandohet në drejtim të institucionit por pozicioni i drejtorit nuk ekzistonte më sepse drejtori ishte bëre Rektor dhe me ligjin për arsimin e lartë si I tille mund te rrinte vetëm 6 muaj, me detyrën e vetme të organizimit të zgjedhjeve. Po mirë mendoi se zgjedhjet i kam në dorë, i bëj sit ë dua dhe kur të dua por si t’ia bëj për gradën? I tërbuar vinte vara vingo nëpër institucione por i tregonin se ëndrrën e tij e pengonte ligji. Ndërkohë po kalonte koha dhe duhet të shpallte zgjedhjet.

Mandron e kapluan frikërat se mos dikush ja prishte ëndrrën, ankthi nuk e linte të flinte gjumë, filluan dyshimet dhe rrinte para kompjuterit të zyrës dhe kontrollonte kamerat në çdo cep të akademisë se kush rrinte me kë dhe kë kishte mik dhe kush nuk e donte. Me këto makthe kaloi me një vit afatet e përcaktuara nga ligji. Po mirë punë e madhe se shkeli ligjin për arsimin e lartë në fund të fundit ai kishte atë të policisë së shtetit. Është ligj më i fortë mendonte profesori, ai ligji tjetër është kot sa për garniturë. Po me gradën që kishte në xhep ca do bënte se derisa të emërohej rektor nuk duronte dot. Futi dorën në xhep dhe fap e vuri gradën si drejtues i lartë. Por përveç bukurisë që i dukej se i rrinte në sup filloi ti ngrohesh dhe xhepi se u paguaka me shumë ky i larti. Por si mund të paguhesh për një gradë që s’të takon!

Një gradë që ta jep vetëm Ministri i Brendshëm. Nuk jemi as në kohën e Osman Gazepit, pasardhësit e tij të na falin që po e përmendim në këtë shkrim si ilustrim, por që të kryesh një veprim të tillë ka pasoja penale dhe prapë Mandro është i paprekshëm. Nuk kanë fund çudirat në këtë institucion të arsimit të lartë. Gazeta premton se do të vazhdojë të bëjë publike të gjitha gjetjet e saj se si individë të tillë e shkelin ligjin dhe përdhosin institucionet e dijes në vendin tonë. Shpresojmë që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt dhe ta vendosin në shinat e ligjshmërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here