Qeveria ka miratuar dje ndërtimin e një termocentrali të ri me kapacitet të instaluar prej 170 MË në Roskovec, Qarku Fier. Ky projekt do të realizohet nga shoqëria greko-shqiptare “Fier Thermoelectric” sh.a e cila aksionerë ka kompaninë greke DEPA COMMERCIAL S.A. 35% dhe kompaninë tjetër greke GEK TERNA Holdings 35% ndërkohë që GENER 2 zotëron 30% të aksioneve. Gener 2, pronë e biznesmenit Bashkim Ulaj, ka lidhje të ngushta me Sali Berisha, çka i ka mundësuar të fitojë vazhdimisht tendera dhe koncesione publike pa pasur pengesa as akuzat.
Përveç kësaj, Ulaj është gjithashtu pronar i një kanali televiziv. Vendimi është firmosur nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë, Belinda Balluku. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave: Afati për ndërtimin dhe vënien në operim të termocentralit është 36 muaj nga hyrja në fuqi e vendimi. Termocentrali do të operojë për një periudhë 49-vjeçare. Shoqëria “Fier Thermoelectric” sh.a. do të raportojë çdo tre muaj për progresin e punimeve dhe do të respektojë të gjitha kushtet e përcaktuara në lejet dhe licencat mjedisore.
Përveç detyrimeve teknike dhe raportimeve periodike, shoqëria do të dorëzojë një garanci kontrate prej të paktën 5% të vlerës së investimit përpara nënshkrimit të marrëveshjes me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjithashtu, ajo do t’i transferojë ministrisë 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike t’i japë falas si royalty, ose ekuivalentin e saj në vlerë monetare. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të ushtrojnë mbikëqyrje të vazhdueshme mbi realizimin dhe funksionimin e projektit.