Fran Marashi i dënuar me burgim të përjetshëm, është vendosur në regjimin “41-Bis”, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë në Peqin për një periudhë njëvjeçare.
Ky vendim është marrë me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
Fran Marashi, i dënuar për vrasjen e 4 punonjësve të policisë dhe plagosjen e 6 të tjerëvë në atë që njihet ndryshe edhe si masakra e Urës Vajgurore ngjarje e ndodhur gjatë trazirave të vitit 1997.
Kujtojmë se Fran Marashi është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sipas vendimit nr. 31, datë 31 janar 2000, për kryerjen e disa veprave penale të rënda, përfshirë:
– Pjesëmarrje në banda të armatosura
– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë (katër raste)
– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë (dy raste)
– Vrasje me dashje
– Heqje e paligjshme e lirisë
Gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, Fran Marashi është dënuar tre herë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe dy herë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit”. Këto janë parashikuar nga nenet 323/1, 25, 278/2, 324/a/1 dhe 324/a/2 të Kodit Penal.
Nga të dhënat rezulton se i burgosuri ka shkelje të përsëritura disiplinore nga viti 2011 deri më sot, të lidhura me futjen dhe përdorimin e sendeve të ndaluara në institucion. Ai përbën rrezik të lartë për arratisje dhe për sigurinë e brendshme të institucionit.
Regjimi i posaçëm “41-bis” zbatohet ndaj individëve që kanë kryer vepra të rënda penale në kuadër të organizatave kriminale, terroriste apo bandave të armatosura dhe që përbëjnë rrezik të lartë shoqëror.