Prokuroria e Hagës: Po kryejmë operacione mbi dyshimet për pengim të drejtësisë në Kosovë

0
17

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha të enjten se është duke kryer operacione të vazhdueshme në Kosovë në lidhje me hetimet që është duke i kryer për vepra penale kundër pengimit të drejtësisë.

Më herët, Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) tha se janë arrestuar tre persona, përfshirë ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, dhe ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj.

“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë”, shkroi ai në Facebook.

ZPS-ja tha se operacionet e saj janë autorizuar “nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.

Ajo shtoi se operacionet janë duke u kryer në lidhje me dyshimet për pengimin e drejtësisë. Bashkim Smakaj e kishte udhëhequr AKI-në nga viti 2009 deri në vitin 2015, kur kishte dhënë dorëheqje pak pasi ishte emëruar për mandatin e tij të dytë.

Ndërkohë, Isni Kilaj ishte arrestuar për herë të parë në nëntor të vitit 2023 nën dyshimet për veprat penale që kanë të bëjnë me pengimin e drejtësisë dhe u lirua me kusht në maj të këtij vitit pasi pagoi një dorëzani prej 30.000 eurosh.

Në shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ndryshoi aktakuzën ndaj Kilajt, por nuk dha hollësi për ndryshimet e bëra. SPO-ja kishte thënë asokohe se ndër arsyet e lirimit të Kilajt me kusht ishte edhe vendimi i prokurorëve për të paraqitur aktakuzë të ndryshuar ndaj tij.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Holandë, deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë. Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte. Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.

Në Dhomat e Specializuara gjithashtu është duke u zhvilluar rasti gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm. Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./REL/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here