Shqipëria ka një kontigjent cilësor lojtarësh dhe bërthama e këtij grupi luan në Serie A italiane. Gjimshiti, Ismajli, Hysaj, Asllani, Ramadani e ndonjë tjetër luajnë në nivele të larta në këtë kampionat dhe kjo ia ka lehtësuar punën trajnerit Silvinjo. Ndërkohë, disa elementë janë të kërkuar në treg. Mes tyre në këtë moment Ismajli është në qendër të vëmendjes. Në fakt, Ardian Ismajli është kthyer në një nga shtyllat kryesore të Empolit dhe me paraqitjet e tij ka bërë që të jetë një ndër emrat më të lakuar në merkaton e futbollistëve. Elozhet për të nuk kanë fund, ndërsa vetë trajneri i Empolit, Roberto D’Aversa, ka theksuar se në klub pëlqejnë të flasin pak për futbollistin.
Në klub i frikësohen faktit se sa më shumë që të flitet për mbrojtësin shqiptar, aq më shumë rriten shanset që ai të largohet që në janar, pa pritur verën kur i mbaron kontrata. Ndërkohë, Ardian Ismajli ka pasur një tjetër paraqitje të mirë në Serie A, ndonëse ekipi tij Empoli ka barazuar në shtëpi ndaj Udinezes, 1:1. Kjo ndeshje u zhvillua të hënën mbrëma, ndërsa i takoi javës së 13-të të elitës së futbollit italian. Kapiteni Ismajli që u vlerësua me notë të lart, kompletoi takimin. Pietro Pellegrini në minutën e 23-të kaloi Empolin në epërsi, ndërsa shifrat në 1:1 i barazoi Keinan Davis me golin e shënuar në minutën e 76-të. Empoli zë vendin e dhjetë me 16 pikë, derisa një pozitë më lart me një pikë më shumë është Udineze.
Broja rrëfen emocionet e kthimit në fushë tek Everton U-21
Sulmuesi Armando Broja luajti të hënën ndeshjen e parë zyrtare, pas një dëmtimi të gjatë në tendinë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u aktivizua në pjesën e parë me Everton U-21 në transfertën e Uotford U-21. Broja tregoi për ndjenjën e bukur të rikthimit, ndërsa shtoi se pret të kapë formën për t’u aktivizuar me ekipin e parë. “Është bukur të kthehesh sërish në fushë. Ka kaluar pak që nga dëmtimi im, prandaj është një ndjenjë e bukur të kthehesh, të luash, ta ndjesh lojën, të kthehesh në fushën e blertë dhe të luash me një buzëqeshje në fytyrë. Me të vërtetë e shijova dhe mezi po pres të vazhdoj dhe me shpresë për t’u kthyer me ekipin e parë”, u shpreh Broja në videon e postuar nga Everton. Kujtojmë se Broja është i huazuar atje deri në fund të sezonit nga klubi i Çelsit që gëzon të drejtën e kartonit.
Zhegrova merr elozhet e Rudi Garcias
Trajneri francez, Rudi Garcia, ishte i ftuar të dielën nga Lilës për festimin e 80-vjetorit të klubit. Garcia ishte trajner i Lilës nga viti 2008 deri në vitin 2013. Garcia foli për formën që është duke e kaluar Lilën këtë edicion në Ligue 1 por pati fjalë edhe për sulmuesin e Kosovës, Edon Zhegrovën. Ai tha se Zhegrova është lojtar i këndshëm për t’u parë. “Edon Zhegrova është lojtar i këndshëm për t’u parë. Ai është një driblues dhe duket si disa lojtarë që kemi pasur në kohën tonë. Lilë ka ekip të kompletuar, shumë të rinj gjithashtu, që punojnë shumë mirë. Ky është një ekip i ndërtuar mirë që për mendimin tim do të bëjë gjëra të mëdha këtë sezon”, ka thënë Garcia, shkruan të martën “One Football”. Zhegrova është futbollisti më në formë te Lila e këtij sezoni.