Elmas Bogdani
Afera e “Gërdecit” ka lënë pas pasoja të rënda, duke përfshirë një tragjedi me shumë viktima dhe dëme të mëdha, e cila është bërë objekt i hetimeve të vazhdueshme, edhe jashtë Shqipërisë. Ndërsa në GJKKO vijon procesi gjyqësor ndaj ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për tragjedinë e 15 marsit 2008 në hetim është dhe një tjetër fraksion i dosjes për korrupsion dhe pastrim parash sa i takon trafikimit te municioneve. Mësohet se SPAK, ka gjetur prova të reja. Konkretisht Prokuroria Speciale mësohet se po asistohet nga autoritetet amerikane lidhur me këtë çështje, për të zbuluar lidhje të mundshme me korrupsionin dhe pastrimin e parave me trafikun e municioneve që sollën këtë katastrofë. Në një intervistë të fundit televizive, vetë Altin Dumani foli për hetime të përbashkëta që po zhvillon me FBI-në, teksa theksoi se aktualisht kanë të hapur çështje ku janë cenuar interesat e dy shteteve, SHBA-së dhe Shqipërisë.
“Kemi prezencë të FBI-së në zyrat tona, na është premtuar se edhe DEA do hapë në Tiranë. Ne kemi hetime të përbashkëta me SHBA-në, me FBI-në dhe me DEA-n. Hetime të përbashkëta ku cenohen interesat e dy shteteve tona”, tha Dumani. Pak kohë më parë kreu i SPAK tha se janë dërguar letër-porosi dhe po ashtu po bashkëpunohet me autoritetet e Uashingtonit, duke qenë se kompania që merrej me demontimin dhe fishekët ishte amerikane. Dumani tha se po kryhen të gjithë veprimet e nevojshme që të zbardhet një herë e mirë kjo dosje.
Implikimi i Shkëlzen Berishës
Po kush është “koka” e kësaj afere që mund ta pësojë? Gazetari amerikan, Guy Lawson, ka implikuar djalin e ish-kryeministrit, në trafikun e fishekëve, ndërsa telashe Shkëlzen Berishës i ka hapur telashe edhe David Packouz. SPAK dërgoi një letër-porosi në SHBA dhe kërkoi të merret në pyetje Efraim Diveroli, i cili u dënua për trafik municionesh në Gërdec. Pak kohë më parë Packouz ka rrëfyer se Diveroli negocioi me Shkëlzen Berishën për të ulur çmimin e fishekëve. Ai ka treguar se si më pas fishekëve ju hoqën mbishkrimet kineze. “Efraimi mori vendimin që nuk donte të kishte rrezikun të humbiste një kontratë 300 milionë dollarëshe, kështu që në vend që t’i tregonte Ushtrisë Amerikane dhe të pranonte riskun që mund t’i hiqnin kontratën, ai vendosi të merrte dikë që të ripaketonte municionin.
Ta hiqte nga kutitë me shenja kineze dhe t’i vendosnin në qese plastike dhe më pas në kuti kartoni. Në fakt donim ta bënim këtë përpara se zbuluam që municioni ishte kinez. Për shkak se në atë kohë ishte rritur çmimi i karburantit, dhe transporti me avion ishte shumë i shtrenjtë. Ndaj menduam se municioni ishte i paketuar në kuti druri të rënda, dhe nëse i hiqnim, do të ulnim shumë peshën, dhe do të dërgonim më shumë municion, në këmbim do të fitonim më shumë. Për ta bërë këtë, miku im Alex shkoi në Shqipëri dhe gjeti një prodhues kutish prej kartoni dhe e punësoi. Aty e kuptuam që ishte municion kinez, pasi vendosëm ta ripaketonim. Atëherë ne thamë “duhet ta ripaketojmë gjithsesi, por duhet të sigurohemi të heqim edhe shenjat kineze”. Ne u treguam shumë budallenj dhe e dërguam këtë me e-mail, duke lënë mundësi të mëdha gjurmimi”, deklaroi ai.
Takimi me Shkëlzen Berishën
Por nuk ndalet me kaq, pasi ortaku i Efraim Diverolit, amerikani David Packouz, ka treguar se janë paguar 100 mijë dollarë, apo 200 mijë dollarë për ripaketimin. Më pas ai nxjerr në skenë emrin e Kosta Trebickës, i cili ishte personi që ka bërë paketimin e fishekëve. Po ashtu tregon pazaret me Shkëlzen Berishën. “Efraimi shkon në Shqipëri dhe takohet me Pinarin, ishte i organizatës së eksportit shqiptar. Një kompani shtetërore që ishte e ngarkuar të shiste çdo lloj municioni që donte qeveria ta shiste. Ai u takua me Pinarin, ky takim është dhe në libër, dhe për këtë na paditi zoti Berisha (Shkëlzeni). U takua me Pinarin dhe djalin e kryeministrit, dhe një person tjetër që ishte një mafioz shqiptar. Nuk ia mbaj mend emrin. Efraim kuptoi se me kë kishte të bënte, ai zakonisht flet shumë, Alex ishte atje dhe më tha se sapo hyri aty, e uli menjëherë zërin. Ata i thanë, shiko nuk do të të japim një çmim më të mirë, ky është çmimi më i mirë në Europë. Megjithatë e dimë se bën edhe ripaketimin, dhe ke punësuar këtë tipin që nuk është pjesë e organizatës tonë dhe po i paguan atij goxha para”, u shpreh ai.
Përplasja e me Berishën dhe djalin e tij
Më tej amerikani David Packouz tregon edhe përplasjet me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe djalin e tij, Shkëlzen Berisha. “Ai donte gjithnjë e më shumë dhe i kërkonte shqiptarëve të ulnin çmimin, ia kërkoi përmes Henry-t sepse ai e bëri marrëveshjen për ne. I thoshte “dua një çmim më të mirë”, dhe Henry i thoshte “nuk e ndryshoj dot çmimin”. Efraimi fluturon në Shqipëri dhe nis të bisedojë me Kostën, dhe Kosta i thotë “kam një mik në Ministrinë e Mbrojtjes, mund të të jap ca informacione”. Dhe Kosta mëson se Ministria e Drejtësisë, është zyrtarisht duke e shitur municionin për 7.62×39mm te Henry për 2 cent copë. Dhe Henry na e shiste ne për 4 cent fishekun. Kjo e zemëroi Efraimin. Ne ia shisnim qeverisë amerikane për 10.5 cent fishekun, por duhet të paguanim edhe për transportin, që ishte 3 apo 4 cent për fishek që i bie se bënim gati sa çfarë bënte Henry.
Ne ishim të sigurt se Henry paguante disa politikanë aty. Pasi ai ishte shumë mik me djalin e kryeministrit, Sali Berisha ishte kryeministri. Djali (Shkëlzeni) vendosi të më padiste mua dhe Efraimin, për shpifje, u nxor nga salla, ndaj zoti Berisha mos më padit më. Fatmirësisht për mua e nxorën nga gjykata, ishte pa meritë. Por Simoni humbi të gjitha paratë e nxjerra nga libri pasi duhet të mbulonte të gjitha shpenzimet. Henry kishte marrëdhënie të ngushtë me djalin e kryeministrit, në këtë mënyrë e arriti aksesin te municione. Ne dyshojmë se ai paguante njerëz, nuk e mbante të gjithë 2 cent-shin për vete. Por Efraimi s’mund ta besonte si Henry po na zhvaste, dhe donte ta nxirrte jashtë marrëveshjes. Ndaj tha “Unë do e nxjerr Henry-n jashtë marrëveshjes, do shkoj do bëj vetë marrëveshje me shqiptarët”, nënvizoi ndër të tjera ortaku i Efraim Diverolit, amerikani David Packouz.
Si e fundosi Shkëlzenin drejtësia amerikane
Jo vetëm kaq, por Shkëlzen Berisha, dështoi në përpjekjen e tij për t’u shfajësuar para një gjykate amerikane, se ai nuk ka qenë i lidhur me biznesin e trafikimit të armëve dhe municionit kinez për llogari të një kompanie amerikane nga Gërdeci në drejtim të Afganistanit. Në argumentet e saj, gjykata hedh poshtë pretendimet e Shkëlzen Berishës, se ai nuk është i përfshirë në këtë veprimtari, duke ju referuar fakteve dhe investigimeve të mediave më të rëndësishme botërore, si “New York Times”, dokumentari i Al Jazeera, shtypit lokal shqiptar dhe pasuron dhe më tej akuzat ndaj tij, duke ju referuar librit të Laëson, i cili ka dëshminë e vajzës së Kosta Trebickës, e cila e konsideron Shkëlzenin, një të dyshuar të mundshëm të vrasjes së babait të saj. Gjykata ka përshkruar në vendimin e saj historinë e shkurtër të biznesit të trafikut të armëve nga Shqipëria, në të cilën ishte i përfshirë Shkëlzen Berisha, duke treguar historinë e dy djemve amerikanë, Efraim Diveroli dhe shokut të tij, të cilët, e përshkruajnë si një aferë korruptive ku ishte e përfshirë mafia lokale shqiptare dhe djali i kryeministrit të Shqipërisë. Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.