Sportistet femra po marrin më shumë sponsorizim se meshkujt, kryeson gjimnastia amerikane Biles

0
14

Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo nuk kanë dominuar vetëm skenën e futbollit me trofe dhe gola, por edhe me përfitime financiare, duke qenë ndër dy sportistët yje të sportit botëror që kanë thyer rekorde në shifrat e përfituara nga reklamat. Ndërkohë, yje të basketbollit amerikan si LeBron Xhejms, apo dhe ndonjë yll i golfit kanë rivalizuar me dy yjet e futbollit. Madje në këtë listë mund të përfshihet edhe ndonjë pilot i Formula 1 apo ndonjë kampion tenisi si Federer e Xhokoviç, por askush nuk po i kap rekordet në rritje që kanë sportistet femra, sidomos pas Olimpiadës së Parisit. Në mediat sportive europiane dhe amerikane po shkruajnë pa frikë që Sporti po bëhet gjithmonë “grua”.

Këtë e kanë kuptuar mjeshtrit e marketingut të kompanive më të mëdha botërore, që gjithmonë e më shumë po kthejnë sytë nga yjet e sportit femëror dhe konfirmimi për këtë vjen nga studimi i “SportPro”, që ka publikuar edhe renditjen me atletët më të marketuar të vitit 2024. Në vija të trasha, studimi lidhet me kontratat e sponsorizimit por edhe impaktin që kanë në rrjetet sociale, Por ka edhe parametra të tjerë financiarë dhe ekonomikë. Sipas tyre, në dhjetëshen e parë të klasifikimit, për herë të parë në 15 vitet e këtij studimi, ndarja është e barabartë mes sportistëve burra dhe gra. Madje këto të fundit marrin edhe vendin e parë në klasifikim. Vendin e nderit e ka Simone Biles, gjimnastia amerikane që sidomos pas triumfit në Lojërat Olimpike “Paris 2024” ka një rritje marramendëse në kontratat e sponsorizimit, duke u kthyer në një ikonë publicitare e kompanine sportive dhe jo vetëm.

Sipas studimit, ajo le pas sulmuesin e Real Madrid, Vinicius Junior dhe legjendën e basketbollit amerikan LeBron James. Ajo që bie në sy është rënia e dy prej më të mëdhenjve të futbollit në dekadat e fundit. Lionel Mesi pozicionohet në vendin e pestë, ndërsa rivali i tij i përjetshëm, Cristiano Ronaldo në vendin e nëntë. Duket se në perëndim të karrierës së tyre, dy yjet e futbollit po humbasin edhe “sharmin” e marketingut. Dhjetëshja e parë e kësaj renditjeje plotësohet me basketbollisten Kaitlin Klark, gjimnasten tjetër medaliste olimpike, brazilianen Rebeka Andrade, futbollistin Kilian Mbape, ragbisten Ilona Mahrer dhe notaren Katie Ledecky. Mbetet të shihet se si do të shkojë më tej tendi i vlerësimit financiar nga reklamat tek sportistet femra, por duket se janë në modë nga kompanitë që financojnë imazhin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here